
Rama i jep kartën e autonomisë financiare Spitalit Memorial të Fierit: Mjekët shpërblim sipas performancës
Spitali Rajonal Memorial i Fierit është kthyer në shembullin më të mirë të shërbimit mjekësor në vend, duke u bërë model për menaxhimin modern të spitaleve.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim dhe u dorëzoi bashkëdrejtuesve të Spitalit kartën e autonomisë financiare. Objektivi i qeverisë mbetet krijimi i 17 qendrave ekselence deri në vitin 2027. Rama dorëzoi kartën e autonomisë financiare për spitalin “Memorial” në Fier që bëhet model për menaxhimin modern të spitaleve.
“Këtu nisi një rrugë e re pak a shumë 4 vite më parë dhe po këtu nisi dhe procesi i autonomisë menaxheriale i cili ka dhënë të gjithë rezultatet kuptimplota për të parë konkretisht se sa e rëndësishme është që mjekët, infermierët, skuadrat që jetojnë përditë dhe punojnë me orë e pa orë shpeshherë në spitale të kenë në dorë vendimmarrjen për menaxhimin dhe të kenë në dorë vendimmarrjen për shpenzimet e spitaleve”, tha Rama.
Gjatë këtij takimi, gjashtë spitale të tjera të vendit; Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, Materniteti “Koço Gliozheni”, Spitali Rajonal Korçë, Spitali Rajonal Elbasan, Spitali Rajonal Gjirokastër dhe Spitali Universitar i Traumës, morën kartën e autonomisë menaxheriale. Kartat iu dorëzuan drejtuesve të institucioneve nga kryeministri Edi Rama.
Burimi