
Presidenti Begaj pret nënkryetarin shqiptar të parlamentit të Malit të Zi, në fokus rritja e bashkëpunimit ekonomik
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në një takim nënkryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, me të cilin bisedoi mbi zhvillimet në shtetin fqinj me fokus rolin e faktorit politik të shqiptarëve dhe situatën e tyre. Begaj vlerësoi përpjekjet që kanë ndërmarrë liderët shqiptarë në Mal të Zi në dobi të shqiptarëve autoktonë në Malin e Zi.
Gjatë bisedës u shkëmbyen mendime për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve në dobi të qytetarëve, me theks të veçantë në projektet ndërlidhëse të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, forcimin politik e ekonomik të shqiptarëve që jetojnë në Malin e Zi.
Ai i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet midis dy vendeve, gjë që u dëshmua edhe gjatë vizitës zyrtare që Presidenti i Republikës zhvilloi muajin e kaluar në Malin e Zi, i ftuar nga homologu i tij, Jakov Milatović.
Kreu i shtetit u ndal gjatë takimit me z.Camaj në intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve, si dhe forcimin e lidhjeve ndërrajonale dhe Euroatlantike që sjellin zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.
Burimi