
Policimi dhe siguria në komunitete, Proda: Shqipëria ka arritur të bëhet një vend më i sigurt për vizitorët dhe turistët
Drejtori i Policisë Shtetit, Ilir Proda thotë se përmes partneritetit me institucionet lokale, Shqipëria ka arritur të bëhet një vend më i sigurt për vizitorët dhe turistët. Ai u ndal te marrëdhënia me qytetarët, ku tha se kjo filozofi është pranuar, ka dhënë dhe po jep efekte pozitive në rritjen e parametrave të sigurisë në vend.
Pjesë nga fjala
Policimi në komunitet përbëhet nga tri elemente kryesore:
-Partneriteti ndërmjet Policisë së Shtetit dhe komunitetit gjerësisht i shprehur në faktin se gjatë hartimit e zbatimit të strategjive të policimit në komunitet, Policia e Shtetit ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me shkollat, pushtetin vendor, grupet vullnetare për të adresuar çështjet e komunitetit për zgjidhje.
-Elementi i dytë është zgjidhja proaktive e problemeve. Nëpërmjet këtij komponenti të policimit në komunitet, punonjësit me ndihmën e qytetarëve identifikojnë dhe zgjidhin në kohë problematikat, duke parandaluar përshkallëzimin e tyre në vend që të marrin një qasje reaguese dhe t’i përgjigjen krimit pasi ai të ketë ndodhur.
Elementi i tretë është ndryshimi organizativ. Policimi i suksesshëm në komunitet varet gjithashtu nga gatishmëria e Policisë së Shtetit për të krijuar struktura efikase, duke përzgjedhur punonjës me integritet sa më të lartë, qasja pozitive e tyre në komunitet dhe menaxhimi profesional i këtyre strukturave. Implementimi me sukses i këtyre tri elementeve sjell padiskutim forcim të besimit ndërmjet punonjësve të Policisë dhe qytetarëve. Krijimi i besimit ka inkurajuar më shumë qytetarë që të raportojnë krimin dhe të iniciojë një nivel më të madh komunikimi ndërmjet Policisë dhe qytetarëve.
Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike janë një tjetër qasje pozitive për zgjidhjen efikase të problemeve dhe shqetësimeve të adresuara nga qytetarët.
Të gjitha këto iniciativa kanë në thelb rritjen e besimit të qytetarëve te Policia, pasi besimi është vlera që qëndron në themel te marrëdhënies sonë. Falë punës dhe profesionalizmit, sot Policia e Shtetit është agjencia ligjzbatuese më e besueshme nga qytetarët, çka na obligon të gjithëve që të punojmë bashkërisht për të përmirësuar akoma më shumë këtë proces thelbësor që rrit parametrat e sigurisë dhe e shndërron Shqipërinë në një vend akoma më të sigurtë për vizorët dhe turistët nga mbarë bota.
Falënderoj organizatorët e këtij eventi, që na jep mundësinë jo vetëm të punojmë për të implementuar në komunitet një policim sa më efikas, por edhe të diskutojmë së bashku për një nga shtyllat kryesore të një shoqërie të sigurtë dhe demokratike.
Programi Suedez për Forcimin e Policimit në Komunitet (SCPA) dhe ambasada suedeze kanë dhënë një kontribut të çmuar në forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit. Me anë të këtij programi, policët janë trajnuar për qasje më efektive ndaj komunitetit, ku ka përfunduar trajnimi i 650 SPZ-ve në të gjithë vendin gjatë fazës së dytë të programit, ndërkohë që tashmë po vijohet me trajnimin Patrullave të Përgjithshme, me qëllim ofrimin e një shërbimi sa më të afërt, cilësor e transparent me qytetarët.
Që prej marrjes së detyrës time si Drejtor i Përgjithshëm e kam pasur dhe kam prioritet ketë proces, nisur dhe nga përvoja si Drejtor i Drejtorisë së Policisë Elbasan, qytet ku u implementua për herë të parë ngritja e këshillave vendore apo këshillave të sigurisë. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një polici moderne dhe të orientuar drejt qytetarëve.
Burimi