
Plani i PD, Berisha: Ligji 7501 i padrejtë ndaj pronës, u diktua nga realiteti
Sali Berisha pranon se ligji 7501 është një ligj i padrejtë ndaj pronës, por sipas tij u diktua nga realiteti. Në fjalën e tij gjatë shpalosjes së programit të PD-së për pronën, Berisha tha se ai ligj kishte në bazë dhe psikologjinë e hapur antipronë.
”Ligjet e para që miratuam, ishin ligje të diktuara, sigurisht një realitet tjetër ekzistonte, i vështirë. Por, absolutisht miqtë e mi, ato ishin ligje të diktuara nga ajo psikologji antipronë, në të cilat kufizohej në 5 mijë metra, në 10 mijë metra njohja, kthimi dhe në shumë aspekte transformimi i Shqipërisë në një rezervat njerëzor e bënte shumë të vështirë rikthimin e menjëhershëm të tokave pronarëve.
Po të mos ishte kjo psikologji, jam shumë i sigurt që ligji 7501 nuk do ishte ky që është. Pra, ligji 7501, një ligj i padrejtë ndaj pronës, u diktua së pari nga realiteti ku 75% e shqiptarëve ishin ngujuar në fshat, dhe t’ua hiqje tokën mbeteshin vetëm me qiellin mbuluar, por asnjë diskutim që ai përcaktim, ai ligj kishte në bazë dhe psikologjinë e hapur antipronë. Pra, kjo në qëndrimin ndaj pronarëve”.
Por sipas kreut demokrat gjatë qeverisjes së tij në vitet 2005-2013 u hoqën disa nga kufizimet e ligjit dhe u kthyen mijëra hektarë tokë. Berisha thekson se me ardhjen në pushtet të socialistëve është bërë gjithçka që të pengohet kthimi dhe kompensimi i pronave.
”Nga viti 2014 gjer sot janë kthyer gjithsej, janë zgjidhur gjithsej 800 dosje. Është bërë gjithçka që kthimi dhe kompensimi i pronave të pengohet në shkallën më maksimale. Nga 26 mijë dosje, janë zgjidhur gjithsej 800 dosje. Jo vetëm kaq. Pra, dëshmia e një vullneti për të mos zgjidhur problemin e pronave”.
Burimi