
Parandalimi i korrupsionit, ministri Hoxha: Vlerësimi i GRECO-s, dëshmi e angazhimit serioz të Policisë
Shqipëria përmbylli me sukses vlerësimin e GRECO-s për angazhimin intensiv në parandalimin e korrupsionit në qeverisjen qendrore dhe forcat e sigurisë.
I pranishëm në aktivitet, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, në fjalën e tij u fokusua tek puna e bërë për sa i përket luftës dhe parandalimit të korrupsionit në strukturat e Policisë së Shtetit. Sipas Hoxhës, ky raund i vlerësimit të GRECO-s është dëshmia më e qartë e një angazhimi tejet serioz të Policisë së Shtetit.
”Ky raund vlerësimi i GRECO është dëshmia më e qartë e një angazhimi tejet serioz të institucioneve tona të sigurisë, përkatësisht, Policisë së Shtetit. Përmbushja e rekomandimeve është rezultati faktik i gjithë përpjekjeve, për të forcuar çdo hallkë integriteti në Policinë e Shtetit, agjencinë më të madhe ligjzbatuese në vend”.
Ministri theksoi se këto arritje janë një dëshmi e angazhimit të palëkundur në nivel politikëbërjeje nga i gjithë aparati i Ministrisë së Brendshme si dhe në nivel zbatimi nga Policia e Shtetit. ”Ambicia jonë është që të jemi pjesë e një procesi përsosjeje dhe vetëpërmirësimi të vazhdueshëm”, tha ministri.
Burimi