Muzhaqi: Sjellim mundësi të reja për të rinjtë, më pranë modeleve evropiane

Muzhaqi: Sjellim mundësi të reja për të rinjtë, më pranë modeleve evropiane

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin “Për Rininë”, i propozuar nga Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.
Ky hap ligjor synon të përafrojë legjislacionin shqiptar me rregulloret evropiane, duke krijuar një kornizë më të qartë për politikat rinore dhe duke ofruar mundësi të reja për zhvillimin profesional të të rinjve. Një nga risitë kryesore të projektligjit është në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, i cili do të ofrojë mbështetje financiare për të rinjtë që kryejnë praktikën në administratën publike.

Përfituesit e programit do të marrin kompensim për shpenzimet e ushqimit dhe transportit, ndërsa në të njëjtën kohë do të ndjekin një cikël trajnimesh profesionale për të fituar aftësi të nevojshme për tregun e punës. “Trajnimet do të përfshijnë etikën e punës në administratë, menaxhimin e buxhetit, aftësi të buta, përdorimin e platformave digjitale dhe përgatitjen e materialeve zyrtare,” tha ministrja Muzhaqi gjatë prezantimit në Komisionin e Ligjeve.
Ajo theksoi se programi synon të ndihmojë të rinjtë të integrohen më lehtë në tregun e punës, pavarësisht nëse ata zgjedhin të vazhdojnë karrierën në sektorin publik apo privat. Projektligji parashikon gjithashtu mbështetje financiare për të rinjtë e talentuar që përfaqësojnë Shqipërinë në kompeticione ndërkombëtare, duke mbuluar të gjitha shpenzimet e tyre për pjesëmarrjen.
Një tjetër iniciativë kyçe është Programi i Nismave Komunitare, i cili synon të fuqizojë të rinjtë në nivel lokal. Me hyrjen në fuqi të ligjit, të rinjtë që hartojnë projekte me ndikim në komunitetet e tyre do të kenë mundësinë të aplikojnë për financim nga qeveria. Pas shqyrtimit në të gjitha Komisionet Parlamentare, projektligji pritet të kalojë për votim në Kuvend. Ministrja Muzhaqi e cilësoi këtë si një hap kyç për forcimin e politikave rinore dhe përafrimin e tyre me standardet evropiane.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente