Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci: Velipoja, plazhi për çdo familje
Foto nga Terenc Pepa
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ka prezantuar këtë të diel në rrjetet e tij sociale mrekullinë e plazhit të Velipojë, të cilën ai e pagëzon “Velipoja, plazhi për çdo familje”. Që do të thotë se kushtet, siguria, higjena, kostoja dhe gjithë komponentët e tjerë janë të garantuara për çdo familje.
Plazhi i Velipojës nuk është plazhi vetëm i shkodranëve, por i të gjithë atyre që i njohin vlerat e rërës së saj, ujit dhe natyrës, shërbimit dhe mundësive, të cilat e veçojnë atë.
Por janë edhe shqiptarët e gjithë shqiptarisë, nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe kudo ku ato jetojnë, të cilët e kanë frekuentuar rregullisht dhe vijojnë ta kenë atë si destinacionin kryesor të pushimeve, relaksit dhe aventurës.
Edhe të huajt e kanë pronotuar këtë perlë të bregdetit shqiptar, për ta patur dhe shfrytëzuar si një mundësi të shkëlqyer pushimesh, për gjithë veçoritë e saja dalluese.
Sikurse edhe e dini, Plazhi i Velipojës është një plazh i cili ndodhet në bregdetin e fushës me të njëjtin emër, në anën e majtë të grykës së lumit të Bunës, 22 km në jugperëndim të qytetit të Shkodrës, në Shqipëri. Ky plazh ka një gjatësi prej rreth 4 km, nga grykëderdhja e Bunës deri në Lagunën e Vilunit, dhe një gjerësi mesatare prej rreth 200 metrash. Sipërfaqja e përgjithshme e plazhit sillet rreth 80 hektarë, duke ofruar hapësirë për rreth 130 mijë pushues. Deti është i cekët dhe thellësia rritet gradualisht. Plazhi është i rrethuar nga një pyll pishash, drunj fletorë dhe shkurre gjithmonë të gjelbra. Klima në zonë është e butë, me temperatura mesatare vjetore rreth 16 °C. Muaji më i ngrohtë është korriku, me temperatura mesatare prej 29 °C, ndërsa më i ftohti është janari, me 4 °C. Reshjet mesatare vjetore janë 1,792 milimetra, ku muaji më i reshur është shkurti, me një mesatare prej 220 mm reshjesh, ndërsa më i thati është gushti, me 41 mm reshje.
Albert Vataj/ Koha Jonë
Burimi