
KQZ certifikon Lëvizjen Bashkë si të parin subjekt për Zgjedhjet e 11 majit
Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi zyrtarisht Lëvizjen BASHKË si subjektin e parë të regjistruar për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ky nuk është thjesht një hap teknik, por një dëshmi e seriozitetit dhe integritetit me të cilin Lëvizja BASHKË i qaset politikës. Në një skenë politike ku pazaret dhe llogaritë e minutës së fundit janë normë, ne dorëzuam listat 6 ditë përpara afatit, duke treguar se nuk bëhemi pjesë e lojërave të errëta të pushtetit. Qindra aktivistë e përkrahës nga Tirana, Fieri, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Korça, Kukësi e deri në Sarandë, me 5.500 firma të mbledhura rrugë më rrugë, na dërguan krenarisht në këtë garë si një forcë e re, e majtë, demokratike dhe e pakompromis në politikën shqiptare.
Kandidatët tanë janë qytetarë të ndershëm dhe profesionistë nga të gjitha shtresat e shoqërisë, duke përfaqësuar një politikë që bazohet në meritë dhe jo në klientelizëm. Redi Muçi (Tiranë), inxhinier dhe pedagog; Mirela Ruko (Fier), sociologe dhe aktiviste për të drejtat e punëtorëve; Artan Kacani (Durrës), arkitekt-urbanist; Oltion Fociro (Elbasan), pedagog dhe ekspert në informatikë; Gabriel Rakaj (Shkodër), inxhinier fizike dhe kërkues shkencor; Ilir Zoto (Vlorë), avokat dhe mbrojtës i të drejtave të qytetarëve; Petro Lubonja (Korçë), profesionist në turizëm dhe aktivist i diasporës; Elio Shyti (Berat), zhvillues softuerësh dhe një nga figurat kryesore të nismës “Dua të Votoj 2025”; Alban Metallari (Kukës), inxhinier dhe kërkues shkencor ndërkombëtar; Emiljando Kita (Lezhë), politolog dhe aktivist; Besjan Kica (Dibër), fermer dhe specialist në mbrojtjen e bimëve; Klevis Bedaj (Gjirokastër), specialist IT dhe njohës i industrisë së turizmit. Ata janë më shumë se emra në një liste — janë njerëz që kanë kontribuar realisht për të mirën publike, të gatshëm të ndryshojnë politikën nga brenda.
Në një vend ku politika ka humbur çdo kredibilitet, mbështetja e qindra aktivistëve dhe mijëra qytetarëve që dhanë firmën, zërin dhe fytyrën e tyre për ne, është dëshmi e një ndryshimi të pashmangshëm. Faleminderit të gjithë atyre që kontribuan në këtë rrugëtim! Ne zotohemi se nuk do ta tradhtojmë kurrë besimin tuaj! Më 11 maj, ndryshimi bëhet realitet!
Burimi