Koçiu dhe Schillaci në maternitetin “Koço Gliozheni”: Hapësirë e re moderne

Koçiu dhe Schillaci në maternitetin “Koço Gliozheni”: Hapësirë e re moderne

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu së bashku me ministrin e Shëndetësisë të Italisë, Orazio Schillaci, në vijim të vizitës së tij dyditore në Tiranë, kanë parë nga afër shërbimin e neonatologjisë dhe kujdesin që ofrohet për nënat dhe foshnjat në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”. Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të Deklaratës së Mirëkuptimit nënshkruar një ditë më parë mes MSHMS dhe Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim në Tiranë.
Koçiu dhe Schillaci panë nga afër ambientet e pavionit të shërbimit neonatal, i cili falë marrëveshjes së re ndërmjet dy vendeve do të përmirësojë më tej infrastrukturat shëndetësore dhe aftësitë teknike e profesionale për menaxhimin e shëndetit të nënës-fëmijës dhe të të porsalindurve. Ministrja Koçiu bëri me dije se vizioni i Programit të Transformimit të Maternitetit është përmirësimi i kujdesit për nënat dhe foshnjat.

“Në kuadër të Deklaratës së Mirëkuptimit të nënshkruar mes dy vendeve, Shqipëri-Itali, do të vijojmë përmirësimin e shërbimeve neonatale në maternitetet e Tiranës, Fierit dhe Dibrës, duke forcuar infrastrukturën dhe rritur aftësitë profesionale të stafit mjekësor”, nënvizoi ajo. Si pjesë e këtij programi, në Maternitetin “Koço Gliozheni” ka filluar rinovimi i dhomave të lindjes dhe sallave të operacionit, me mbështetjen e qeverisë, si dhe do të vijohet më tej me ndërtimin e një hapësirë të dedikuar për kujdesin neonatal.
“Kjo hapësirë jo vetëm do të ofrojë kujdes shëndetësor të specializuar, por do të shërbejë edhe si qendër kombëtare reference për rastet komplekse, duke përfshirë foshnjat me dëmtime të lindjes, anomali kromozomike, sëmundje të zemrës, ekspozim ndaj substancave, infeksione dhe prematuritet”, – nënvizoi Ministrja e Shëndetësisë.
Koçiu dhe Schillaci panë nga afër edhe Qendrën e Riprodhimit të Asistuar (FIVET) ku shërbimi i fertilizimit in vitro ofrohet falas për çiftet që duan të kenë fëmijë, falë Paketës së Fertilitetit të financuar nga buxheti i shtetit.
“Po punojmë që brenda vitit 2025 të hapim Qendrën e Dytë Kombëtare të Riprodhimit të Asistuar pranë Spitalit “Mbretëresha Geraldinë”, duke zgjeruar më tej mundësitë e trajtimit për çiftet që kanë nevojë për këtë shërbim”, deklaroi ajo.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu nënvizoi se “ky bashkëpunim me Italinë është një hap i rëndësishëm për të garantuar shërbime më cilësore dhe të aksesueshme për të gjitha gratë dhe foshnjat”.
Nënshkrimi i Deklaratës së Mirëkuptimit shënon një tjetër moment të rëndësishëm për rritjen dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë mes Shqipërisë dhe Italisë për shkëmbimin e praktikave dhe njohurive më të mira në sektorin e shëndetit të nënës-fëmijës dhe të porsalindurve.
Nëpërmjet asistencës teknike dhe projekteve të përbashkëta shëndetësore synohet rritja e cilësisë së shërbimeve dhe e përkujdesit neonatal në katër spitale, në maternitetet “Koço Gliozheni” dhe “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, si dhe në spitalet e Fierit dhe Dibrës.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente