
Gonxhja pret ambasadorin e ri të Italisë, diskutohet çelja e një qendre shqiptare të kulturës
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja priti ambasadorin e ri të Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, me të cilin diskutoi mbi lidhjet dhe nismat që thellojnë partneritetin mes dy vendeve, në shumë sektorë.
“Partneriteti mes dy vendeve tona mbetet një shembull i fortë i bashkëpunimit afatgjatë dhe të qëndrueshëm në të gjitha fushat”, është shprehur Gonxhja në rrjetet sociale.
Në qendër të vëmendjes së këtij takimi, ishin marrëdhëniet kulturore, me fokus te Java Kulturore Italiane, një aktivitet që sjell më pranë traditën, artin dhe krijimtarinë italiane për publikun shqiptar.
Është diskutuar për mundësinë e çeljes së një qendre shqiptare të kulturës në Itali, si edhe vijimin e punës për një muze italian si vullnet i dy shteteve. Pensionet, inovacioni, investimet direkte, kualifikimet profesionale, qenë të tjera tema kryesore të këtij takimi pune.
Burimi