
Gjykata rrëzon urdhrat e Trump dhe Musk, urdhëron kthimin në punë të mijëra punonjësve federalë
Në një vendim të rëndësishëm, gjykatat federale në Kaliforni dhe Maryland kanë urdhëruar administratën e presidentit Donald Trump të rikthejë në detyrë mijëra punonjës federalë në periudhë prove, të cilët ishin shkarkuar në kuadër të masave shtrënguese në 19 agjenci qeveritare.
Vendimi vjen si një goditje për përpjekjet e Trump dhe këshilltarit të tij, Elon Musk, për të riorganizuar administratën përmes shkurtimit të vendeve të punës dhe reduktimit të buxheteve. Agjencitë tani duhet të paraqesin plane të reja për menaxhimin e stafit dhe fondeve, sipas një raporti të Reuters.
Gjykatësi James Bredar nga Baltimora e mbështeti padinë e ngritur nga 20 shtete të udhëhequra nga demokratët, duke konstatuar se 18 agjenci kishin shkelur rregullat federale për shkarkimin e punonjësve në provë. Urdhri i tij përfshin kthimin në punë në institucione si Agjencia për Mbrojtje Mjedisore, Byroja për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorëve dhe USAID. Po ashtu, agjenci si Departamenti i Bujqësisë, Departamenti i Energjisë dhe Departamenti i Sigurisë së Atdheut janë të detyruara të ndjekin të njëjtin urdhër.
Paralelisht, në San Francisko, gjykatësi William Alsup lëshoi një vendim të ngjashëm, duke urdhëruar kthimin në punë të stafit të larguar nga gjashtë agjenci, përfshirë edhe Departamentin e Mbrojtjes.
Burimi