Çarjet midis Evropës dhe SHBA-së së Trumpit

Çarjet midis Evropës dhe SHBA-së së Trumpit

Putini ka vite që është i kapluar me synimin për ta ripërvetësuar Kievin si “djep i Rusisë”; synim ky i cili është i ngjashëm me atë që kishte Milosheviqi, me akademikët dhe shkrimtarët serbë lidhur me Kosovën: në të dyja rastet anashkalohet racionaliteti politik që e veçon traditën e mendimit filozofiko-politik evropian
Agresioni i Rusisë mbi Ukrainën, para tre vjetësh, pati nxitur një tronditje të thellë gjeopolitike në Evropë dhe në Perëndim në përgjithësi. Liderët evropianë u mblodhën me urgjencë për t’i ridefinuar parimet e sovranitetit evropian sikurse edhe “autonominë e tyre strategjike”. U dakorduan për dërgimin urgjent të një ndihme të rëndësishme të armatimit Ukrainës, duke shqyrtuar njëherazi masat që duhet marrë për t’u përballur me rrjedhojat e agresionit rus për paqen dhe stabilitetin e kontinentit evropian; sikurse edhe ato që i takojnë elaborimit të një strategjie të re energjetike, gjë që ka nxitur një zgjim brutal të Evropës dhe Perëndimit në përgjithësi karshi kërcënimeve nga një regjim autokratik e agresiv. Presidenti Macron dhe kancelari Scholz patën deklaruar asokohe se me këtë agresion hapet një epokë e re në raportet midis Perëndimit dhe Rusisë. Vendet perëndimore i imponuan sanksione të ashpra financiare, komerciale, ekonomike dhe teknologjike të Oksidentit ndaj Rusisë.

Alain Frachon, ekspert i gjeopolitikës në të përditshmen prestigjioze franceze “Le Monde”, mendon se shkolla neorealiste në politikën e jashtme në SHBA, duke i dhënë epërsi raporteve të forcës midis shteteve, kritikon qëmoti qëndrimin e udhëheqësve amerikanë. Përfaqësuesit e kësaj shkolle mendojnë se politika e bashkëpunimit e SHBA-së dhe BE-së me Ukrainën, ka qenë “një provokim për Moskën”. Sipas neorealistëve, duhet marrë parasysh interesat e sigurisë së Rusisë por jo edhe të fqinjëve të saj. Frachoni mendon se problemi i neorealistëve qëndron në faktin se “ata mendojnë se Putini mendon si ata”, duke e nënçmuar kësisoj forcën e ideologjisë. Putini ka vite që është i kapluar me synimin për ta ripërvetësuar Kievin si “djep i Rusisë”, synim ky i cili është i ngjashëm me atë që kishte Milosheviqi, me akademikët dhe shkrimtarët serbë lidhur me Kosovën: në të dy rastet anashkalohet racionaliteti politik që e veçon traditën e mendimit filozofiko-politik evropian.
Ukraina shkaktare e luftës?Vëzhguesit evropianë të këtij debati të vrullshëm konstatojnë se Trump, me kohë, kishte përvetësuar disa pikëshikime të Putinit mbi luftën në Ukrainë. Ky orientim i Trumpit shpjegon përse ai arriti ta formulojë raportin midis Ukrainës dhe Rusisë si raport midis shkaktarit të luftës dhe vendit që kishte pësuar një agresion. Këtë përmbysje të përgjegjësive nga Trump, CNN-i së voni e kishte përshkruar si njërën prej 13 “gënjeshtrave të mëdha” të presidentit të SHBA-së. Tensionet politike midis vendeve të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së u manifestuan në mënyrë të theksuar kur presidenti Trump e bëri të qartë se në Konferencën e Riadit, para disa javësh, do të jenë të pranishëm vetëm përfaqësuesit e SHBA-së dhe ata të Rusisë. Kjo shkaktoi një befasi te shtetet anëtarë të BE-së e njëherësh edhe te kreu shtetëror i Ukrainës. Mënjanimi i shefave të shteteve të BE-së, të cilët tash e tre vjet merren për së afërmi me problemet që i shkaktoi agresioni i Rusisë mbi Ukrainën, doli i pakuptueshëm. Kjo vlen po kështu edhe për kryetarin Zelenski i cili nuk e kishte të qartë përse nuk kishte vend për të në bisedimet e para për agresionin ndaj Ukrainës, e cila tani tre vjet zhvillohet në territorin e vendit të tij, me pasoja të rënda, shkatërrime masive të qyteteve dhe infrastrukturës sikurse edhe me pasoja për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës. Zelenski, me mbështetje të NATO-së, zhvillonte aktivitete të shumta në mbrojtjen e vendit të tij dhe në riparimin e dëmeve që i shkaktonte agresioni ushtarak i regjimit të Putinit.
Më 28 shkurt, sjelljet brutale të Trumpit ndaj presidentit Zelenski, në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, sikurse edhe vendimi për ndërprerjen e dërgimit të armëve Ukrainës, bënë që Dmitri Peskov, zëdhënës i Kremlinit, të deklarojë zyrtarisht: “Orientimet e reja amerikane në politikën e jashtme përputhen plotësisht me orientimet tona” (Në foto: Karikatura e Jeton Mikullovcit – Jemit)Qëndrimi i Trumpit ndaj BE-së
Vrojtuesit gjeopolitikë evropianë, në të përditshmet e mëdha, shfaqin po kështu habinë e tyre me veprimet politike të presidentit amerikan karshi vendeve aleate të NATO-s. Habia e këtyre ishte aq më madhe pasi Trumpi, në vend se t’i ftojë në konferencën e parë kushtuar luftës në Ukrainë, ai paralajmëroi “domosdonë e arritjes së paqes me Rusinë”. Ai e bëri të ditur se vetë do t’i udhëheqë bisedimet për paqe. Ndonëse njëra nga parimet e rëndësishme të vendeve të NATO-s, tani e 70 vjet, thekson mbrojtjen kolektive si obligim, Trumpi bëri të ditur në këtë mënyrë se solidariteti transatlantik nuk është preokupim politik e strategjik i tij. Në Konferencën e Riadit, me bashkëpunëtorët e tij, ai e bëri të qartë se interesimi i tij kryesor ka të bëjë me normalizimin e raporteve me Rusinë e Putinit. Mosprania e shefave të shteteve evropiane shënonte kësisoj një ndërprerje të traditës së praktikave të bashkëpunimit të ngushtë me vendet aleate, anëtare të NATO-s. Preokupimi i Trumpit, kësisoj është se cilat hapa duhet t’i ndërmarrë për t’i zhvilluar raportet me Putinin.
Ky qëndrim i Trumpit u interpretua nga vëzhguesit dhe ekspertët e marrëdhënieve gjeopolitike, si një kthesë e përgatitur më herët; nuk ishte vetëm kërkesa e tij e para dy viteve se vendet evropiane, anëtare të NATO-s, do të duhej të rrisin obligimet e tyre financiare karshi NATO-s.
Vrojtuesit gjeopolitikë evropianë vënë në pah se Trumpi në fakt, me vendimet e veta për NATO-n e ka “zhveshur forcën e saj si aleancë kolektive e mbrojtjes, duke e dëmtuar besueshmërinë e saj”. Aleatët e amerikanëve në Evropë theksojnë se siguria e tyre lidhet me atë që po ndodhë tani e tre vjet në Ukrainë, sikurse edhe me kërcënimet që Rusia ua drejton vendeve baltike, Polonisë dhe disa vendeve skandinave.
Kthesa prej 180 shkallësh e presidentit TrumpVërejtja serioze që gjeopolitikanët e disa vendeve evropiane ia bëjnë Trumpit rezymohet kësisoj: ai vendosi ta braktisë vendin e agresuar, Ukrainën, për ta përvetësuar optikën politike të agresorit.Këto lëvizje të politikës së jashtme të Trumpit, karshi Rusisë, janë përshëndetur nga Moska: më 28 shkurt, sjelljet brutale të Trumpit ndaj presidentit Zelenski, në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, sikurse edhe vendimi për ndërprerjen e dërgimit të armëve Ukrainës, bënë që Dmitri Peskov, zëdhënës i Kremlinit, të deklarojë zyrtarisht: “Orientimet e reja amerikane në politikën e jashtme përputhen plotësisht me orientimet tona”. Në këtë mënyrë Trump e bëri të ditur se faji për luftën në Ukrainë i takon vetë Ukrainës. Kjo ishte njëra nga ato “13 gënjeshtrat e mëdha” të Trumpit, të cilat CNN-i i bëri publike. Kjo u quajt edhe një kthesë për 180 shkallë e Trumpit. Ky qëndrim i tij godet njëherësh edhe vendet e tjera evropiane, për mbështetjen ushtarake e politike që i ofruan Ukrainës. (“Le Monde”).Disa hulumtues të gjeopolitikës, theksuan se edhe para hapjes së një negociate me Rusinë, Trump vendosi ta braktisë Ukrainën e agresuar, duke e paraqitur madje rezistencën e saj si shkaktar i mundshëm i Luftës së Tretë Botërore, siç ia tha presidentit Zelenski në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo orvatje për ta delegjitimuar Zelenskin, u shoqërua edhe me ndërprerjen e dërgimit të armatimit Ukrainës, e cila tash e tre vjet pëson sulme të rënda nga Rusia e Putinit.Mirëpo, Trumpi e pa të udhës t’ia përmbushë Putinit edhe një dëshirë: ta delegjitimojë plotësisht presidentin Zelenski e njëherësh t’ia ndërpresë dërgimin e armatimit.
Trump, së voni, deklaroi se BE-ja ishte “krijuar për t’i shfrytëzuar amerikanët”. Kësisoj, kthesa e Trumpit u shoqërua me një “denigrim të partnerëve evropianë”. Është fjala për disa deklarata të nënkryetarit Vance që theksojnë “mungesën e përvojës së evropianëve që të luftojnë”. Disa studiues theksojnë se mund t’i kuptojnë deri diku disa arsye të zyrtarëve amerikanë që të largohen nga evropianët por ata nuk e kanë të qartë përse aleatët e djeshëm të Evropës duhet të afroheshin me Rusinë e Putinit, sidomos kur të merret parasysh fakti se kjo vazhdon të zhvillojë forma të rënda të agresionit mbi ukrainasit.
Disa autorë e kanë paraqitur si arsyetim të mundshëm vullnetin e Trumpit që ta largojë apo ta ndajë Rusinë nga Kina, të bindur te aleanca amerikane me Kinën. Kjo hipotezë u duket disa hulumtuesve të tjerë pak e bindshme ngase pikërisht “miqësia e pakufishme” midis Moskës dhe Pekinit, e mbështetur me konventën e vitit 2022, e trimëroi Putinin t’i hyjë agresionit kundër Ukrainës.
Habi të madhe në opinionin ndërkombëtar shkaktoi më 24 shkurt, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, SHBA-ja e cila votoi bashkë me Rusinë, Bjellorusinë dhe Hungarinë një rezolutë e cila i kundërvihej rezolutës së disa vendeve të tjera, të cilat e cilësonin Moskën si agresor në konfliktin me Ukrainën.
Më 7 mars Trumpi deklaroi se është më lehtë të negociosh me Rusinë sesa me Ukrainën. Ai shton se është i bindur se “Putini dëshiron t’i japë fund luftës”, se “ai do të jetë më gjeneroz sesa që do të duhej të ishte; e kjo është një gjë e mirë. Kjo do të thotë se ai ofron shumë gjëra të mira”. Ndërkaq, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, deklaroi se “politika e afrimit me Rusinë shpie te më shumë bomba, më shumë agresione, më shumë viktima”.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, deklaroi se qeveria e tij po e përgatit një plan i cili synon të përgatisë një formim ushtarak, në përmasa të mëdha, për qytetarët, si përgjigje ndaj evoluimit të situatës në Evropë.
Me rastin e mbajtjes së një këshilli të jashtëzakonshëm, më 6 mars, zyrtarët e 27 vendeve të BE-së, aprovuan Planin për Riarmatimin e Evropës, me një buxhet prej 800 miliardë eurosh. Ky buxhet ka parasysh ndihmën mbrojtëse që do t’i ofrohet në radhë të parë Ukrainës.
Kurse më 8 mars, zyrtarët e armatës ukrainase, njoftuan opinionin ndërkombëtar se këto ditë Ukraina përdori për herë të parë aeroplanët “Mirage 2000”, të cilët ia kishte dërguar më parë Franca, për t’i ndalur sulmet ajrore të aviacionit rus. Po atë ditë, zyrtarët ukrainas njoftuan opinionin ndërkombëtar se në radhët e ushtrisë së tyre marrin pjesë 70.000 femra, kurse 5500 prej tyre luftojnë në linjat e para të frontit.
Ndërkaq, në muajin shkurt, Pentagoni ia ndërpreu ushtrisë ukrainase dërgimin e informatave elektronike për lëvizjet e aviacionit rus që sulmonin Ukrainën. Mirëpo, ishte Franca ajo që e zëvendësoi, mjaft shpejt, këtë ndihmë elektronike për ushtrinë ukrainase. Ukraina, njëherazi, filloi t’i përdorë aeroplanët luftarakë “Mirage 2000” për t’i dëbuar sulmet e aviacionit rus, e të cilët ia kishte dërguar më parë Franca.
Autonomia strategjike e EvropësPajisja e BE-së me armatime evropiane del si një etapë e parë e cila duhet të hapë mundësinë e krijimit të një autonomie të mirëfilltë strategjike. Disa hulumtues saktësojnë se shumica e vendeve evropiane fare nuk kanë dashur ta marrin në shqyrtim këtë perspektivë. Tani, ndryshimet në politikën e jashtme amerikane ndikojnë në kërkimin e një udhe të përbashkët evropiane në fushën e mbrojtjes. Në atë masë sa SHBA-ja ka zgjedhur një orientim tjetër në politikën e jashtme dhe atë të mbrojtjes, i takon shteteve anëtare të BE-së të saktësojnë strategjinë e re politike dhe ushtarake.
Vendet e BE-së kanë biseduar së voni për aspekte të ndryshme të autonomisë strategjike. Njëra prej këtyre aspekteve ka të bëjë me vendosjen e trupave evropiane në Ukrainë, për mbrojtjen e Ukrainës dhe të Evropës. Presidenti francez Emmanuel Macron ka më se dy vjet që kishte shtruar kërkesën që vendet perëndimore të dërgojnë trupa në Ukrainë për ta mbrojtur nga agresioni rus.
Nga: Muhamedin Kullashi / Koha.net
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente