Braçe kujton dhunën në zgjedhje: S’kam kërkuar gjë nga PS, vetëm kam punuar

Braçe kujton dhunën në zgjedhje: S’kam kërkuar gjë nga PS, vetëm kam punuar

Erion Braçe do të duhet të punojë për të marrë mandatin e ri në Kuvend, pasi është në listën e hapur të PS. Ai ka kujtuar sot dhunën e ushtruar ndaj tij në zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996 me një foto ku shfaqet i gjakosur në fytyrë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se që nga ajo periudhë ai ka punuar dhe ka pasur vetëm beteja të fituara. Deputeti shkruan se ai asnjëherë nuk ka kërkuar asgjë nga Partia Socialiste.
Postimi i plotë

Nuk është 26 maji sot, jo! Fotoja është e 26 majit 1996, zgjedhjet e para ku unë jam zgjedhur masivisht! Ka disa arsye pse po e publikoj sot: E para, i detyrohem një shpjegim vajzës sime që do votojë për herë të parë në zgjedhje politike dhe mbesës time që do votojë për herë të parë në jetë. I detyrohem një shpjegim për hundën e shtrembër, buzën e çarë dhe zgjedhjet si ishin, me qëllim që të dinë ç’ka ndodhur e të kuptojnë se në këtë vend, të zgjedhësh ka qenë luftë, jo e drejtë!
E dyta, për t’u thënë se unë nuk kam kërkuar kurrë gjë në Partinë Socialiste, qeveritë e saj, pushtetin partiak, ekzekutivin qendror apo vendor, përfshirë dhe dje, shuuuuumëeeee qartë, kurrë, asgjë. Nuk më ka dhuruar kurrë kush gjë, jam zgjedhur, me votë brenda partisë e jashtë saj; kam respektuar cilindo që më ka votuar, mandatet i kam marrë e mbajtur si kontratë pune dhe thjesht kam shërbyer; nga njëra palë zgjedhje në tjetrën, kam marrë po me votë vlerësimin e punës së bërë e jam shuuuuumëeeee mirënjohës për çdo herë që besimi është rinovuar dhe puna ka vijuar.
E treta, kurrë nuk kam zgjedhur e pasur një garë të lehtë; unë jam zgjedhur deputet në 26 maj 1996 në një zonë njërimore, kokë me kokë; në kulm të pushtetit të fortë e të dhunshëm e që notonte në detin me lekë të fajdeve si e shihni i larë në gjak e kur mbi kokën time behej qitje me armë zjarri. Mirë do ishte ta harroja, por mirë është ta shpjegoj për çdo të ri, pavarësisht moshës, për të kuptuar se si hyet në parlament!
E katërta, kurrë por kurrë s’kam punuar për të krijuar rehat rreth meje, liqen pa dallgë si kufi sigurie dhe i përjetshëm për vete, mirëqenie e luksi; gjithçka rreth meje ka qenë punë; janë mijëra ditë pune me shenjë dhe, janë mijëra ata që kanë punuar me mua e ju dëshmojnë se, të gjithë bashkë krijuam një model pune prej të cilit kanë dalë plot e plot djem e vajza të reja për të cilët nuk u bëra kurrë pengesë pashë dje listën e Lushnjës e Divjakës e katër ndër kandidatët në të, janë produkt i këtij modeli pune e promovimi përmes punës; puna e tyre e jo dëshira e tyre i ngjiti aty. Nga 26 maji, në këtë mënyrë, periudhat kohore u bënë beteja të fituara, pa humbur kurrë!
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente