
Asfaltohet rruga e fshatit Kyçyk në Njësinë Administrative Tregan, lehtësohet lëvizja e banorëve dhe turistëve
Një tjetër investim i rëndësishëm infrastrukturor ka përfunduar në Njësinë Administrative Tregan, ku është shtruar me asfalt rruga kryesore e fshatit Kyçyk. Ky projekt, i kërkuar prej kohësh nga banorët, u bë realitet falë angazhimit të Bashkisë Elbasan për përmirësimin e jetës në zonat rurale.
Fshati Kyçyk, me rreth 110 shtëpi dhe afro 500 banorë, ndodhet mes dy Llixhave të njohura, të cilat frekuentohen nga turistë gjatë gjithë vitit. Rruga e re jo vetëm që u shërben banorëve në përditshmërinë e tyre, por edhe vizitorëve që zgjedhin të eksplorojnë natyrën dhe resurset turistike të zonës.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, gjatë inspektimit në terren theksoi rëndësinë e këtij investimi për komunitetin lokal dhe zhvillimin e turizmit në zonë:
“Pas investimeve që kemi bërë për sistemimin e linjës së energjisë dhe përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm, tashmë i erdhi radha edhe rrugës, e cila ndryshon ndjeshëm jetën e banorëve. Kyçyk është një nga fshatrat më të mëdhenj të Njësisë Administrative Tregan, me një natyrë fantastike dhe potencial të madh për agroturizmin. Rruga që përfunduam sot është vetëm hapi i parë, pasi kemi në plan ndërhyrje të tjera, si sistemimi i ndriçimit pranë xhamisë dhe në unazën e fshatit,” u shpreh Llatja.
Gjithashtu, ai nënvizoi se investimet në këtë njësi administrative nuk do të ndalen këtu, duke vënë theksin te ndërtimi i shkollës së re të Treganit:
“Në Tregan kemi ende shumë punë për të bërë. Një nga prioritetet tona ka qenë rikonstruksioni i shkollës së Treganit, një investim i domosdoshëm për të krijuar kushte më të mira për nxënësit dhe mësuesit. Punimet kanë nisur dhe po vijojnë me ritme shumë të mira,” tha kryetari i bashkisë.
Projekti i rrugës, i cili përfshin një segment prej rreth 800 metrash, është vetëm një pjesë e strategjisë më të gjerë të investimeve në zonë. Me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, energjetike dhe arsimore, Kyçyk dhe i gjithë Tregani po kthehen në një model zhvillimi, ku urbanizimi dhe turizmi ecin paralelisht për të rritur cilësinë e jetës për banorët dhe për të tërhequr vizitorë të rinj.
Burimi