
Altin Dumani: Të shkarkohet kreu i Prokurorisë Lezhë, Erjon Shehaj
Erjon Shehaj, kreu i Prokurorisë së Lezhës është përballur ditën e sotme me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në kuadër të procesit të Vettingut.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka paraqitur pretendimet e tij dhe ka kërkuar që të shkarkohet kreu i Prokurorisë së Lezhës, Erjon Shehaj.
Gjatë paraqitjes së pretendimeve të tij në KPA, Dumani argumentoi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) duhet të ndryshohet dhe Shehaj duhet të shkarkohet nga detyra si subjekt i rivlerësimit.
“Kërkoj ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Erion Shehaj,” u shpreh Dumani.
Për të mbështetur këtë kërkesë, Dumani dorëzoi pranë Kolegjit një dokumentacion prej 22 faqesh, ku përmblidhen konkluzionet e tij mbi çështjen.
Dumani ka thënë se Shehaj ka dërguar për gjykim çështjen e një personi që është kapur me kanabis dhe lëndë plasëse e ai është dënuar me 6 vite burg.
“Në këtë dosje nuk janë bërë hetime. Ku e mori drogën personi, ku do ta çonte atë? A jemi përpara veprave penale të kryera në bashkëpunim? Ku e mori lëndën eksplozive? Vetë e montoi? Nëse e montoi vetë, duhet provuar. Personi kishte rrezikshmëri shoqërore dhe dënimi ishte i ulët”, ka deklaruar Dumani.
Burimi