
SHBA valë sulmesh ajrore ndaj rebelëve Houthi, Trump: Ju pret ferri!
Shtetet e Bashkuara kanë kryer një valë sulmesh ajrore ndaj rebelëve Houthi në Jemen, të cilët kanë ndërmarrë sulme ndaj anijeve në Detin e Kuq. Presidenti Donald Trump deklaroi se ky operacion ishte një përgjigje e fuqishme ndaj piraterisë, dhunës dhe terrorizmit të grupit të mbështetur nga Irani.
“Rebelët Houthi kanë sulmuar anijet amerikane dhe kanë rrezikuar trupat dhe aleatët tanë. Këto veprime nuk do të tolerohen,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke shtuar se sulmet e tyre kanë shkaktuar dëme me vlerë miliarda dollarë dhe kanë vënë jetë njerëzish në rrezik.
Sipas ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Houthi, të paktën nëntë persona janë vrarë dhe nëntë të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore amerikane.
Pavarësisht sulmeve, rebelët Houthi deklaruan për mediat arabe se do të vazhdojnë sulmet e tyre ndaj anijeve në Detin e Kuq, të cilat i nisën si reagim ndaj luftës së Izraelit në Gaza. Grupi, që kontrollon kryeqytetin e Jemenit, Sana’a, dhe pjesën veriperëndimore të vendit, e konsideron Izraelin armik dhe është mbështetur nga Irani.
Që nga fillimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, Houthit kanë nisur qindra sulme ndaj anijeve që kalojnë nëpër Detin e Kuq. Fillimisht, ata pretendonin se sulmonin vetëm anijet e lidhura me Izraelin, por më vonë u bë e qartë se shumë prej tyre nuk kishin asnjë lidhje me këtë shtet.
Presidenti Trump paralajmëroi rebelët se do të përdoret forcë shkatërruese derisa të arrihet objektivi. Në një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Houthive, ai shkroi:
“Nëse nuk ndaleni, FERRI DO TË ZBRESË MBI JU SI KURRË MË PARË!”
Për më shumë se një vit, shumë kompani të mëdha të transportit detar janë detyruar të shmangin Detin e Kuq, duke zgjedhur një rrugë më të gjatë përreth Afrikës së Jugut. Sipas Kongresit Amerikan, nga nëntori 2023 deri në tetor 2024, rebelët Houthi kanë kryer 190 sulme ndaj anijeve në këtë zonë strategjike, nëpër të cilën kalon rreth 15% e tregtisë globale detare.
Më parë, SHBA dhe Britania kanë ndërmarrë sulme të përbashkëta detare dhe ajrore kundër rebelëve, ndërsa Izraeli gjithashtu ka goditur objektiva të lidhura me Houthit.
FACT CHECK:
Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Burimi