
Trump fut në “listën e zezë” Kamala Harris dhe Hillary Clinton, s’do kenë më akses mbi informacionet e klasifikuara
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka revokuar autorizimet e sigurisë për rivalët e tij demokratë në zgjedhjet e mëparshme, Kamala Harris dhe Hillary Clinton, si dhe për një numër ish-zyrtarësh të tjerë të lartë.
Ky veprim vjen pasi Trump deklaroi në shkurt se po revokonte autorizimin e sigurisë për paraardhësin e tij, Joe Biden. Ai e konfirmoi këtë vendim në njoftimin e fundit, duke shtuar se po revokonte gjithashtu edhe autorizimin e sigurisë për “çdo anëtar tjetër” të familjes Biden.
“Kam përcaktuar se nuk është më në interesin kombëtar që personat e mëposhtëm të kenë akses në informacion të klasifikuar,” thuhej në memorandumin e Trump.
Ish-presidentët amerikanë dhe zyrtarët e lartë të sigurisë zakonisht e mbajnë autorizimin e tyre të sigurisë si një shenjë respekti.
Ish-Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, si dhe ish-ligjvënësit republikanë Liz Cheney dhe Adam Kinzinger, ishin gjithashtu në listën e atyre që humbën autorizimin e sigurisë – së bashku me Fiona Hill, një ish-këshilltare për çështjet ruse në administratën e parë të Trump.
Emrat e tjerë në listë ishin: Jake Sullivan, Lisa Monaco, Mark Zaid, Norman Eisen, Letitia James, Alvin Bragg, Andrew Weissmann dhe Alexander Vindman.
Më herët, Trump kishte revokuar autorizimet e sigurisë për më shumë se dyzet ish-zyrtarë të inteligjencës, të cilët ai i akuzoi se kishin ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2020 në favor të Biden, pa ofruar prova.
Në vitin 2021, Biden – i cili shërbente si president në atë kohë – i ndaloi rivalit të tij të mundur, Trump, aksesin në raportet e inteligjencës, duke cituar “sjelljen e tij të paparashikueshme”.
Burimi