
Tragjedi në Maqedoninë e Veriut/ 50 persona humbin jetën si pasojë e një zjarri në një klub nate, detaje nga ngjarja e rëndë
Të paktën 50 persona kanë humbur jetën në orët e vona të natës në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate, kanë thënë autoritetet maqedonase për agjencinë e lajmeve MIA.
Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut (MPB) ka ndërmarrë masa duke ndaluar të gjithë ata që kishin lidhje me organizimin e ngjarjes fatale në diskotekën private në Koçan. Ky incident tragjik ka ndodhur natën e kaluar, rreth orës 3 të mëngjesit, kur një shpërthim zjarri ka përfshirë diskotekën Pulse, pas përdorimit të mjeteve piroteknike.
Në këtë kuadër, MPB ka nisur hetime dhe po bën verifikime për të zbuluar të gjithë ata që mund të kenë kontribuar në organizimin dhe zhvillimin e ngjarjes që çoi në këtë katastrofë, raportojnë mediat shqiptare në RMV.
Numri i të plagosurve nuk dihet, por një pjesë e tyre janë transferuar në klinikat në Shtip dhe Shkup.
Këtë mëngjes, shumë njerëz janë parë përpara objektit në Koçan, tejet të brengosur për familjarët e tyre, meqë nuk e dinë nëse janë të gjallë apo të vdekur.
“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.
Sipas mediave lokale, zjarri është përhapur nga mjetet piroteknike që janë përdorur gjatë një performance nga bendi maqedonas DNA. Në kohën e shpërthimit dhe përhapjes së zjarrit, klubi ka qenë i mbushur me njerëz.
Mediat lokale kanë thënë se pas shpërthimit të zjarrit, në vendin e ngjarjes kanë arritur zjarrfikësit, ambulanca, dhe zyrtarët policorë.
Burimi