
Tension në rrugët e Beogradit, një ditë para protestës masive antiqeveritare
Atmosfera në Beograd është e tensionuar sot para një proteste të madhe antiqeveritare që pritet të mbahet nesër, ndërsa qeveria populiste e presidentit Aleksandar Vuçiç shton përpjekjet për të penguar njerëzit të dalin në rrugë, shkroi Associated Press.
Protesta e nesërme shihet si kulmi i demonstratave disamujore kundër korrupsionit në Serbi dhe një provë për qeverinë e krahut të djathtë të Vuçiçit, e cila po përballet me pakënaqësi publike në rritje, sipas AP.
Presidenti autokratik i Serbisë ka paralajmëruar vazhdimisht se në protestë po planifikohet dhuna, ndërsa në të njëjtën kohë kërcënon me arrestime për incidente, tha agjencia, duke shtuar se mbështetësit e Vuçiçit janë duke qëndruar në qendër të qytetit, duke nxitur frikën e përleshjeve me protestuesit.
Pavarësisht rritjes së tensioneve, dhjetëra mijëra studentë dhe protestues të tjerë nga e gjithë Serbia pritet të mblidhen në Beograd, shkruan AP.
Agjencia shkruan gjithashtu se sot traktorët janë parkuar rreth parkut para ndërtesës së presidencës serbe, ku përkrahësit e Vuçiçit, duke përfshirë edhe ish-pjesëtarë të formacioneve paraushtarake, po organizojnë një kundërprotestë.
Ai thekson gjithashtu se autoritetet kanë njoftuar se ndërtesa e Kuvendit do të jetë me kyç për tre ditët e ardhshme për arsye sigurie.
Sot, kompania hekurudhore Srbijavoz njoftoi gjithashtu se po pezullon të gjithë trafikun ndërqytetar për shkak të një kërcënimi me bombë, gjë që shihet si një mënyrë për të parandaluar ardhjen e njerëzve në Beograd, shton agjencia.
Burimi