
Lamtumirë jetës “pa para”, dy vendet europiane zbulojnë rrezikun dhe tërhiqen nga pagesat digjitale
Në një kohë kur shumica e vendeve po shkojnë drejt pagesave digjitale, Suedia dhe Norvegjia po ndryshojnë kurs. Këto dy shtete nordike, të cilat historikisht kanë qenë liderë në përdorimin e pagesave elektronike, tani po rikthejnë paratë e gatshme si një masë sigurie kundër krizave dhe sulmeve kibernetike.
Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore, Suedia dhe Norvegjia kanë nivelin më të ulët të parasë fizike në qarkullim si përqindje e PBB-së në botë. Në Suedi, vetëm një në dhjetë blerje kryhet me para të gatshme, ndërsa pagesat me karta bankare dhe aplikacione mobile janë dominante. Megjithatë, përballë kërcënimeve të mundshme gjeopolitike, qeveritë e këtyre vendeve po inkurajojnë qytetarët të mbajnë para në dorë.
Ministria e Mbrojtjes suedeze ka shpërndarë një udhëzues me titull “Nëse vjen kriza ose lufta”, ku këshillohet përdorimi i rregullt i parasë së gatshme dhe ruajtja e një furnizimi minimal për të paktën një javë. Po ashtu, qeveria suedeze ka propozuar që disa institucione publike dhe biznese private të detyrohen të pranojnë pagesa në para të gatshme për të shmangur përjashtimin e grupeve të caktuara të popullsisë.
Edhe Norvegjia po ndjek një qasje të ngjashme. Vendi miratoi një ligj vitin e kaluar që ndëshkon bizneset që refuzojnë pagesat me para të gatshme. Autoritetet paralajmërojnë se varësia e tepërt nga pagesat digjitale i bën qytetarët të pambrojtur ndaj sulmeve kibernetike. Ish-ministrja e Drejtësisë dhe Situatave të Emergjencës, Emilie Enger Mehl, theksoi se “nëse askush nuk përdor dhe nuk pranon para të gatshme, ato nuk do të jenë më një zgjidhje emergjente kur të vijë kriza.”
Kjo kthesë vjen në një kohë kur pjesa më e madhe e Europës po ecën drejt një shoqërie pa para të gatshme. Megjithatë, për Suedinë dhe Norvegjinë, siguria kombëtare duket se ka përparësi mbi modernizimin e pagesave.
Burimi