Bizneset kërkojnë taksën e sheshtë, Jaka: Ngarkesat në gjykata pengojnë investimet

Bizneset kërkojnë taksën e sheshtë, Jaka: Ngarkesat në gjykata pengojnë investimet

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me shoqatat kryesore të biznesit në vend, vjen me një propozim drejtuar të gjitha forcave politike pjesëmarrëse në garën elektoralë të 11 majit.
Sipas përfaqësuesve të sipërmarrjes, propozimi vjen në një kohë kur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat janë shtyllat e ekonomisë shqiptare, përballen me vështirësi financiare dhe mungesë likuiditeti, çka i bën të pasigurta në aspektin e qëndrueshmërisë dhe konkurrueshmërisë.
Ndër propozimet kryesore është nevoja për aplikimin e stimujve fiskale, ku përfshihet edhe rikthimi i taksës së sheshtë.
“Aplikimi i një sistemi të ri fiskal me një taksë e sheshtë 10% për të nxitur investimet, rritjen e pagave dhe formalizimin e ekonomisë. Kjo do të krijojë më shumë vende pune dhe do të lehtësojë barrën mbi bizneset dhe qytetarët. Norma e TVSH-së për sektorin e agro-përpunimit të bëhet 5% deri 7%,” tha kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka.
Platforma e propozuar kërkon hartimin e një ligj për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme në masën 3–5%,
“… 3% për ndërtesat rezidenciale dhe 5% për ndërtesat komerciale. Propozojmë që taksa për kalimin e pasurisë së patundshme të jetë jo më shumë se 7%,” deklaroi z. Jaka.
Në fjalën e tij, ai vlerësoi reformën e gjyqësorit, por nga ana tjetër kërkoi një procesim më të shpejte të stokut të madh të dosjeve, veçanërisht në Gjykatën Administrative.
“Gjykata për të trajtuar një çështje sot shkon nga 3 deri në 10 vjet. Ju siguroj që çdo pjesëmarrës nuk do e shohë Shqipërinë si një vend favorit për të investuar paratë e veta,” u shpreh kryetari Jaka.
Platforma gjithashtu kërkon një diversifikim, zhvillim dhe mbështetje të mëtejshme në sektorët me vlerë të shtuar, si bujqësia, agro-industria, turizmi i qëndrueshëm, energjia e gjelbër, ndërtimi dhe transporti.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente