Zjarr në Fier, rrezikohen tokat me ullinj

Zjarr në Fier, rrezikohen tokat me ullinj

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat e fshatit Gjorgoz në Fier gjatë paradites së sotme, duke shkaktuar shqetësim në zonë. Flakët, të favorizuara nga era e fortë, janë përhapur me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllëzuar me pisha dhe duke krijuar disa vatra të reja zjarri.
Situata është përkeqësuar për shkak të kushteve të motit, ndërsa zjarri është afruar edhe pranë tokave të mbjella me ullinj, duke rrezikuar dëme të mëdha për banorët dhe pronat e tyre. Dëshmitarë në vendngjarje raportojnë për tym të dendur dhe përhapje të shpejtë të flakëve.
Forcat zjarrfikëse janë në terren me disa automjete dhe po punojnë për vënien nën kontroll të zjarrit. Megjithatë, terreni dhe era e fortë kanë vështirësuar përpjekjet për shuarjen e flakëve. Për momentin, zjarri nuk paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për banesat, por autoritetet mbeten në gatishmëri për çdo situatë të papritur.
Ndërkohë, banorët e zonës kanë bërë thirrje për ndihmë të menjëhershme, duke theksuar se zjarri po i afrohet gjithnjë e më shumë pronave të tyre.
Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një zjarr të shkaktuar nga pakujdesia apo për ndonjë zjarrvënie të qëllimshme.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente