Zbardhet nisma e Spiropalit, kërkon t’i zgjasë me 3 vjet mandatin e Elsa Toskës, që dha dorëheqje nga Kushtetuesja
Dy javë pasi Elsa Toksa dha dorëheqjen nga detyra si anëtare e trupës së Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi ka shpallur hapjen e procedurës së aplikimit për vendin që mbeti vakant. Bie në sy që mandati i Elsa Toskës nuk është deri në 2025, siç thotë Kushtetuta, por deri në 2028.
“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, pasi u njoh me vendimin nr. 62, datë 23.09.2024, të Gjykatës Kushtetuese, për mbarimin përpara afatit të mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, znj. Elsa Toska, bazuar në nenet 125, 127, pika 1, shkronja “c” dhe pika 3, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenet 7, pika 1, 7/c dhe 8, pika 3, të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Shpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant, mandat plotësues, për 1(një) anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim plotësimin e vakancës të krijuar për shkak të deklarimit të mbarimit përpara afatit të mandatit të gjyqtares Znj. Elsa Toska, i cili përfundon më datën 14.11.2028, referuar Vendimit të Kuvendit nr. 133/2019 “ Për zgjedhjen e zonjës Elsa Toska, anëtare të Gjykatës Kushtetuese”.
Kuvendi është vënë në lëvizje pas vendimit të 24 shtatorit marrë nga Kushtetuesja, ku u shqyrtua kërkesa e bërë nga kryetarja Holta Zaçaj për ndërprerjen e mandatit të anëtares së dorëhequr
Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me një vendim, sipas saj, nga ana e Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali për zgjatjen e mandatit të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska deri në 2028, edhe pse ajo ka dhënë dorëheqjen. Tabaku shprehet se një lëvizje e tillë konsiderohet antikushtetuese.
Kujtojmë që gjyqtarja Elsa Toska në datën 19 shtator 2024 ka paraqitur dorëheqjen te kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
Deputetja demokrate argumenton pse sipas saj vendimi që mban firmën e kryeparlamentares Elisa Spiropali bie ndesh me Kushtetutën.
“Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë ka ndërmarrë një nismë antikushtetuese për të zgjatur mandatin e gjyqtares së dorëhequr, Elsa Toska. Për të kuptuar më mirë këtë veprim, është e rëndësishme të rikujtojmë dy elemente kyçe. Në vitin 2016, Parlamenti miratoi ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi dhe futi në Kushtetutë disa dispozita kalimtare për mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në këto dispozita gjendet edhe neni 179, pika 3, i cili saktëson se gjyqtarëve të emëruar pas vitit 2017 u përfundon mandati në vitin 2025, ndërsa atyre të emëruar pas vitit 2020 u përfundon mandati në vitin 2028“, shprehet Tabaku.
“Komisioni i Venecias e përcaktoi qartësisht jo vetëm mënyrën e emërimit të gjyqtarëve, por edhe skemën e përfundimit të mandateve, ku për znj. Toska, mandati përfundon në vitin 2025”, shton më tej ajo.
Postimi i plotë:
Tentativa për t’u fshehur pas tymnajës
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë ka ndërmarrë një nismë antikushtetuese për të zgjatur mandatin e gjyqtares së dorëhequr, Elsa Toska. Për të kuptuar më mirë këtë veprim, është e rëndësishme të rikujtojmë dy elemente kyçe. Në vitin 2016, Parlamenti miratoi ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi dhe futi në Kushtetutë disa dispozita kalimtare për mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në këto dispozita gjendet edhe neni 179, pika 3, i cili saktëson se gjyqtarëve të emëruar pas vitit 2017 u përfundon mandati në vitin 2025, ndërsa atyre të emëruar pas vitit 2020 u përfundon mandati në vitin 2028.
Tre vjet pas këtyre ndryshimeve kushtetuese, Parlamenti, nën drejtimin e shumicës socialiste, u përfshi në një ngërç tjetër. Për të shmangur këtë situatë, opozita kërkoi këshillim nga Komisioni i Venecias. Në mendimin e tij miqësor të vitit 2020, Komisioni Venecias sqaroi se neni 179 i Kushtetutës kishte për qëllim që 9 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të ndaheshin në tre grupe, me nga tre gjyqtarë secili, për të garantuar zëvendësimin gradual të tyre. Ky rregull për të ruajtur përpjesëtimin u përfshi edhe në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.
Arsyeja, sipas Komisionit të Venecias, lidhej me ruajtjen e balancës dhe evitimin e bllokimit të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Skema e ndarjes së mandateve në distanca kohore prej tre vitesh mbështet këtë parim kushtetues të funksionimit të GJK.
Komisioni i Venecias e përcaktoi qartësisht jo vetëm mënyrën e emërimit të gjyqtarëve, por edhe skemën e përfundimit të mandateve, ku për znj. Toska, mandati përfundon në vitin 2025.
Lindin disa pyetje: Përse Kryetarja e Kuvendit e interpreton me syze të tjera një dispozitë që është e qartë, si në mendimin e Komisionit të Venecias, ashtu edhe në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, neni 86, pika 3? A është kjo një përpjekje për të manipuluar Kushtetutën dhe për të zgjatur mandatin e ndonjë gjyqtareje tjetër? Apo ka për qëllim Kryetarja e Kuvendit të mbanë të kapur Gjykatën Kushtetuese me vendime arbitrare, duke minuar Reformën në Drejtësi?
A ka vendosur Kryetarja e Kuvendit të hedhë poshtë Kushtetutën dhe mendimin e Komisionit të Venecias, të cilit vetë i është drejtuar?
Diferenca mes atyre që pretendojnë se e mbrojnë drejtësinë e pavarur dhe atyre që nënshkruajnë për zgjatjen e mandateve antikushtetuese është tashmë e qartë për të gjithë. Siç ka thënë edhe Presidenti Wilson, “Demokracia është një sistem i tmerrshëm, por për sa kohë që nuk kemi diçka më të mirë, duhet të luftojmë për të.”
gijotina.com/
Burimi