Studentët mbajnë sot protestën e madhe në Beograd

Studentët mbajnë sot protestën e madhe në Beograd

Një protestë e madhe nën sloganin “15 për 15” pritet të mbahet sot në Beograd me thirrjen e studentëve, të cilët prej muajsh kërkojnë nga autoritetet që të plotësojnë kërkesat e tyre në lidhje me shembjen e çatisë së stacionit hekurudhor në Novi-Sad, ku për pasojë 15 persona humbën jetën.
Protesta paqësore do të fillojë zyrtarisht në orën 16:00 para Kuvendit të Serbisë. Para kësaj do të organizohen tubime në disa lokacione të qytetit.
Studentët, të mbështetur nga mësuesit dhe qytetarë të thjeshtë, kanë nisur prej fundjavës së kaluar rrugëtimin në këmbë drejt kryeqytetit, të ardhur kryesisht nga Novi-Sadi dhe Subotica. 500 nxënës dhe studentë u nisën nga Nishi në jug, rreth 190 kilometra larg Beogradit. Për të ardhurit janë përgatitur struktura mikpritjeje nga fakultetet dhe shkollat e mesme.
Protestuesit në njoftimin e tyre thonë më 15 mars “do të shkruhet historia”, ndërsa aksioni është krahasuar paraprakisht me demonstratën e 5 tetorit 2000, kur qytetarët detyruan tërheqjen e regjimit të presidentit Sllobodan Millosheviq.
Ata i kanë drejtuar katër kërkesa qeverisë dhe autoriteteve: publikimi i të gjitha dokumenteve në lidhje me rinovimin e stacionit hekurudhor nga një ekip kinez; ndjekja penale dhe shkarkimi i personave që dhunuan studentët dhe profesorët, të cilët protestuan rreth tragjedisë; lirimi i studentëve të arrestuar gjatë protestave; rritje me 20 për qind e buxhetit për arsimin e lartë.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Vuçiq ka paralajmëruar për dhunë dhe arrestime të mundshme.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente