Shqipëria, me shpenzime rekord për ndërtimin në Europë gjatë 2023

Shqipëria, me shpenzime rekord për ndërtimin në Europë gjatë 2023

Varësia e ekonomisë ndaj sektorit të ndërtimit në Shqipëri ishte më e larta në Europë në vitin 2023, sipas të dhënave që janë përditësuar së fundmi nga Eurostat.
Shpenzimet nominale për ndërtimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2023 në Shqipëri ishin 19.1%, nga 18.8% vitin e kaluar.
Kjo shifër është më e larta në Europë, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është rreth 11%.
Vendi i dytë pas Shqipërisë ishte Rumania, me 17.9%, i ndjekur nga Suedia, me 15.7%.
Në rajon, pas nesh renditet Maqedonia e Veriut, me 13.3%, e ndjekur nga Bosnja me 2.5%, Mali i Zi 11.4% dhe në fund Serbia me 9.6%.
E fundit në Europë është Greqia, shpenzimet nominale të së cilës për ndërtimin ishin vetëm 4.9% e PBB-së.
Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme ndikuan në gati 50% të rritjes ekonomike
Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se si aktivitetet e pasurive të paluajtshme, ashtu dhe të ndërtimit, që vitet e fundit ka hyrë në një cikël të ri rritjeje, kanë qenë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen ekonomike të 2023.
INSTAT bëri të ditur se ekonomia u rrit me 3.44% në 2023.
Të dhënat tregojnë se ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kanë ndikuar në gati 50% të kësaj rritjeje, ku efekti më i fortë ishte në tremujorin e parë dhe të fundit.
Po sipas INSTAT, aktiviteti i ndërtimit arriti në 235 miliardë lekë, ose rreth 2.2 miliardë euro, me një rritje reale prej 9.7%. Ashtu si pasuritë e paluajtshme, edhe ndërtimi rinisi ciklin pas vitit 2019.
Sipas të dhënave të INSTAT, transaksionet e pasurive të paluajtshme arritën në 137 miliardë lekë vitin e kaluar, ose rreth 1.3 miliardë euro. Ky është niveli më i lartë i shitblerjeve i regjistruar ndonjëherë.

/Monitor/
Burimi