
Raundi i dytë i kualifikueseve të EURO U-17/ Shqipëria triumfon ndaj Azerbajxhanit 4-1
Kombëtarja shqiptare U-17 e nisi me fitore raundin e dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian, duke mposhtur Azerbajxhanin në “Elbasan Arena” me rezultatin e thellë 4-1.
Protagonisti kryesor i takimit ishte Evangjelos Gjoka, i cili realizoi një tregolësh, ndërsa Gabriel Kulla vulosi suksesin e kuqezinjve me golin e tij.
Trajneri Andrea Tedesco e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar ndaj Azerbajxhanit: Raffaele Huli (GK), Darli Kurti, Eros Ndrecka, Andreas Llana, Fabian Hallidri, Fabjano Nuhaj (C), Evangjelos Gjoka, Gabriel Kulla, Alen Vukaj, Arman Durmisi, Alex Ramku.
Shqipëria e nisi ndeshjen në sulm dhe gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e 7-të me Gjokën. Kuqezinjtë dominuan pjesën e parë, duke krijuar disa raste të mira shënimi me Kullën, Gjokën dhe Ramkun, por pa mundur të dyfishojnë avantazhin.
Në fillimin e pjesës së dytë, Azerbajxhani barazoi përkohësisht rezultatin me golin e Rzayevit. Megjithatë, Shqipëria reagoi shpejt dhe riktheu epërsinë në minutën e 53-të, sërish me Gjokën. Mesfushori vazhdoi paraqitjen e tij të shkëlqyer, duke realizuar edhe golin e tretë personal në minutën e 64-t. Në minutën e 76-të, Gabriel Kulla vulosi fitoren me golin e katërt.
Në fund ndeshja u mbyll me fitoren spektakolare të Shqipërisë 4-1.
Kombëtarja U-17 do të luajë ndeshjen e dytë dhe të fundit të raundit ndaj Uellsit, më 25 mars, në orën 15:00, në “Shtëpinë e Futbollit”.
Burimi