
Rama e la në listën e hapur, Damian Gjiknuri: Rroftë Partia Socialiste, do fitojmë!
Deputeti socialist Damian Gjiknuri ka reaguar për të parën herë për listën e kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit, ku emri i tij përfundoi në listën e hapur të qarkut të Vlorës.
Përmes një postimi në Facebook, Gjiknuri shprehet se rikthimi në qarkun bregdetar është nder dhe përgjegjësi për të. Ai duket se nuk i trembet garës për një vend në Kuvend, duke kujtuar fitoret me rekord votash të zgjedhjeve në vitet 2017, 2019 dhe 2021.
Po ashtu ai nënvizon se kushdo që e njeh, qoftë edhe rivalët në kampin opozitar, e kanë të qartë se Gjiknuri është i gatshëm t’i luftojë betejat politike deri në fitore.
POSTIMI I DAMIAN GJIKNURIT:
RIKTHIMI NË VLORË ËSHTË NDER DHE PËRGJEGJËSI
Rikthehem me shumë kënaqësi në familjen socialiste të qarkut Vlorë, ku me punën e palodhur dhe angazhimin e përbashkët shënuam rezultatet më spektakolare, me fitoret e njëpasnjëshme dhe me përqindje votash rekord në tre procese zgjedhore në 2017, 2019 dhe 2021.
Rikthehem për të çuar përpara punën që lamë në mes për shkak të detyrave të reja që mu ngarkuan si Sekretar i Përgjithshëm dhe drejtues politik i Qarkut të Elbasanit.
Së bashku e bëmë Vlorën të ndjehet krenare dhe konfirmuam se ajo mbetet shpirti e zemra e socialistëve. Ajo ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë lokomotiva që udhëheq Partinë Socialiste drejt sukseseve elektorale.
Që në ditën e parë të angazhimit tim politik, jam udhëhequr nga disa parime dhe kam patur për mision, të rri në lartësinë e vlerave dhe kontributit të babait tim, i cili ishte jo vetëm aktivist i nderuar i shoqërisë civile por më tej edhe ndër deputetët e parë të Partisë Socialiste.
Nuk kam patur kurrë iluzionin se me përfshirjen në politikë nuk do të merrja kosto e nuk do të tentonin të më baltosnin. Me rëndësi për mua ka qenë të jem besnik i trashëgimisë qytetare dhe politike të familjes sime. Kam qenë gjithmonë besnik i vlerave të majta socialiste dhe kam shërbyer në çdo moment kudo ku më kanë dhënë besimin të shërbej. Një angazhim gjithnjë në mbrojtje e respekt të interesave të çdo qytetari shqiptar dhe padiskutim edhe të çdo anëtari e simpatizanti të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Kam punuar çdo ditë e kudo me objektivin për ta forcuar Partinë Socialiste dhe rritur fuqinë e saj për transformimin e vendit. Falënderoj përzemërsisht qytetarët e Gramshit që në rrugën time politike më besuan për herë të parë duke më zgjedhur dy herë rresht deputet në 2009 dhe 2013. Respekt për qytetarët e mençur të Dibrës me të cilët shënuam një fitore të thellë në 2016, në një moment delikat politik kur kërcënohej vijimi i qeverisjes së PS-së. Mirënjohje për qytetarët e Qarkut të Elbasanit dhe socialistët me të cilët punuam dhe garantuam një fitore të qartë e të pastër në 7 bashkitë në zgjedhjet e vitit 2023.
Në gjithë këto vite të angazhimit tim politik nuk i jam trembur asnjë beteje politike. Sigurisht, nuk besoj se ka një njeri qoftë edhe në kampet kundërshtare që të më klasifikojë në kategorinë e atyre që u tremben as listave të mbyllura, as atyre të hapura dhe as përballjeve mazhoritare.
Në 11 Maj, i gjithë Qarku i Vlorës do të votojë masivisht për Partinë Socialiste duke konfirmuar edhe njëherë se trëndafili i saj peshon më shumë se çdo emër i përveçëm. Të gjithë jemi kalimtarë! Ajo çka mbetet është Partia Socialiste!
Me mbështetjen tuaj do të vazhdojmë së bashku të transformojmë Vlorën dhe gjithë Shqipërinë.
Suksese dhe fitore në 11 Maj! Asnjë hap prapa! Forca Vlora! Rroftë Shqipëria! Rroftë Partia Socialiste!
Burimi