
Qeveria u cakton hoteleve numrin e turistëve, s’pranohet deklarim nën 65% të kapacitetit nga Maji në Shtator
Qeveria shqiptare ka miratuar një vendim që përcakton një nivel minimal të turistëve që hotelet duhet të deklarojnë për efekt të pagesës së taksave. Ky vendim, i paralajmëruar më herët nga kryeministri Edi Rama në vitin 2023, synon të adresojë problemin e deklarimeve të pjesshme të kapaciteteve të shfrytëzuara nga strukturat akomoduese.
Sipas vendimit, periudha e shfrytëzimit të hoteleve është ndarë në dy faza sezonale:
Nga 1 maj deri më 30 shtator, niveli minimal i deklarimit është 65% e kapacitetit të strukturës. Për shembull, një hotel me 100 dhoma nuk mund të raportojë më pak se 65 dhoma të zëna në muaj.
Nga 1 tetor deri më 30 prill, ky nivel është përcaktuar në 30% të kapacitetit.
Në vendim theksohet se ky kufizim është vendosur për të reduktuar nivelin e informalitetit në sektorin e turizmit. Sipas qeverisë, një numër i konsiderueshëm hotelesh, pavarësisht se funksionojnë me kapacitete të larta, raportojnë shfrytëzim më të ulët nga ai real, duke ndikuar në të ardhurat e buxhetit qendror dhe vendor për shkak të mosdeklarimit të plotë të xhiros së tyre.
Burimi