Presidenti Begaj vizitë në Kosovë, nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Deçanit

Presidenti Begaj vizitë në Kosovë, nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Deçanit

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, u nis këtë të diel për një vizitë dy ditore në Kosovë. Kreu i shtetit do të zhvillojë takime në tre komuna: Deçan, Junik dhe Drenas.
Presidenti Bajram Begaj zhvilloi edhe një takim në familjen e Haradinaj ku së bashku me Ramush Haradinaj bëri nderime në varrezat e dëshmorëve.
Presidenti pasi mori çmimin “Qytetar Nderi” i Deçanit në fjalën e tij u shpreh se ndjehet i vlerësuar dhe i privilegjuar që të marrë një titull kaq të rëndësishëm. Për më tepër presidenti Begaj theksoi se ky titull e nxit për të vazhduar punën akoma më shumë, për të bërë që Kosova të ketë vendin e merituar, të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare, të jetë pjesë e NATO-s. Kosova dhe Shqipëria sot i kanë të gjitha mundësitë që të jenë së bashku si pjesë e madhe e familjes evropiane.
“Kam përfaqësuar Shqipërinë kudo gjatë këtyre dy viteve por shumë faleminderit për mikpritjen. Jam shumë i emocionuar duke përjetuar këto çaste që do të mbeten përgjithnjë në kujtesën time. Kam ardhur në bjeshkën e  Nanit, një vend i bekuar nga  ku tradita ndërthuret me legjendën. E kam nisur punën time si mjek në Tropojë dhe që nga ajo kohë kam dashur gjithmonë të vizitoja viset tona. Të parët ishin simbol i rezistencës ndaj pushtuesit, Lidhja e Prizrenit, Lidhja e Pejës , ishin themelet me të cilat filloi kryengritja për pavarësinë e Shqipërisë. Fati na çoi në rrugë të ndryshme por përcaktimi i tij është i njëjtë të gjithë bashkë do të jemi në Europë.
Në Europë e me një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Deçani ka shkrepur pushkët e para. Deçani u shkatërrua plotësisht nga mizoria serbe. Në këtë 25 vjetor të çlirimit kujtojmë të gjithë dëshmorët. Jam i gëzuar që jam qytetar i kësaj krahine. Kur pranova të vizitoj Deçanin ishte e lidhur me festimet e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, për faktin që mu desh të angazhohesha në disa aktivitete të tjera ndërkombëtare u shty vizita për një javë, më pas kurrsesi ju siguroj se nuk kam qenë i përgatitur për të marrë këtë çmim nga Asambleja e Deçanit dhe ju them që e pranojë me shumë mirënjohje dhe mund të them që është një privilegj i jashtëzakonshëm dhe për mua është një vlerësim shumë i madh për të marrë këtë titull.
Natyrisht ky titull më nxit që unë të vazhdojë të punoj akoma më shumë, për të bërë që Kosova të ketë vendin e merituar, të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare, të jetë pjesë e NATO-s . Duhet të jemi krenar për të kaluarën tonë dhe mos të harrojmë  ata të cilët kanë kontribuar, të gjithë ata heronj që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës. Kosova dhe Shqipëria sot i kanë të gjitha mundësitë që të jenë së bashku si pjesë e madhe e familjes evropiane. Ju jam shumë mirënjohës nga zemra”, u shpreh presidenti Begaj.
Burimi