Murrizi: Nuk do pranoja kurrë të “emërohem” deputet pa votat e qytetarëve

Murrizi: Nuk do pranoja kurrë të “emërohem” deputet pa votat e qytetarëve

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së , Myslim Murrizi ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e këtij forumi, duke argumentuar se pjesëmarrja e tij do të ishte në konflikt interesi.
Po ashtu, ai shprehet se aspiron të jetë në listën të hapur të kandidatëve për deputet, pasi vetëm kështu do t’i  nënshtrohet gjykimit të qytetarëve.
Reagimi
Sot nuk do të jem në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të respektuar konfliktin e interesit.
Sa kohë që unë aspiroj të jem kandidat për kandidat për deputet për zgjedhjet e 11 majit, dhe tema e mbledhjes së sotme të Këshillit Kombëtar është pikërisht miratimi i listës së 186 kandidatëve që do të përfaqësojnë PD-në në këto zgjedhje (46 të mbyllur dhe 140 në listë të hapur), nuk mund të jem i pranishëm, sepse mes shumë emrave do të jetë dhe emri im dhe nuk dua që të vendos në siklet askënd e nuk dua të flas për asnjë emër tjetër.
Nuk mund ta imagjinoj dot “radhën” e takimeve “qurravitëse” të këtyre ditëve të atyre që duan patjetër të sigurojnë një karrige në parlament nëpërmjet listës së mbyllur.
Do më vinte turp t’u jepja dorën kësaj kategorie dhe nuk do pranoja kurrë të “emërohem” deputet pa votat e qytetarëve.
Unë aspiroj të jem në listë të hapur që t’i nënshtrohem dhe të gjykohem nga vota e qytetarëve të qarkut Tiranë.
Beteja fillon nesër dhe betejën e kemi me rilindjen, qeverinë dhe Ramën, por kjo betejë bëhet te votuesi, te qytetarët dhe shqiptarët kudo që jetojnë për t’i bindur të na votojnë dhe me dinjitet, karakter, ndershmëri, kurajo e respekt t’u tregojmë që nuk jemi si “tufa” e kërmave të pushtetit.
Asnjë vlerë nuk kanë mandatet e gjithsecilit nëse nuk rrëzojmë Ramën dhe kalbësirat nga pushteti, prandaj boll se na hapët barkun!
Prej 12 vitesh pothuajse keni qenë po ju që këto ditë bëni “roje” në godinën dhe oborrin e PD-së për t’u takuar me Berishën që t’i kërkoni qenien në listën e mbyllur.
Nga kush keni frikë që nuk doni të jeni në listë të hapur???
Do të propozoja që të gjithë ata apo ato që aspirojnë të jenë në listë si kandidatë për deputet dhe janë anëtarë të Këshillit Kombëtar të mos marrin pjesë sot në mbledhje, por edhe po shkuan, të jenë me dinjitet e të respektojnë qenien në konflikt interesi.
 
 
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente