Meta i përgjigjet Dumanit: Jam nën hetim vetëm se jam kundërshtar i Ramaformës
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas deklaratave të bëra nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani. I pyetur nga gazetarët, Dumani tha se, po vazhdojnë hetimet ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
Në reagimin e zëdhënëses së Presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli, thuhet se, Ilir Meta po hetohet nga SPAK si kundërshtari më i vendosur i narkoshtetit dhe i Ramaformës që polli edhe një monstër si Dum-Dumani.
“Në emër të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në respekt të publikut, po i përgjigjemi me një deklaratë zyrtare, deklaratës ‘off-record’ të Dum-Dumanit, këtij mercenari të narkoshtetit dhe të shërbimeve më antishqiptare (‘Ballkanit të Hapur’), që nuk do ta kuptojë se në çfarë loje të rëndë dhe antikombëtare ka hyrë. Ilir Meta hetohet nga SPAK si kundërshtari më i vendosur i narkoshtetit dhe i Ramaformës që polli edhe një monstër si Dum-Dumani. Hetimet janë shumë të qarta dhe Dum-Dumani i ka të gjitha faktet që bën sikur nuk i shikon prej kohësh sepse kërkon të shfrytëzojë njerëz ordinerë që kanë shkelur ligjin për t’i përdorur kundër Ilir Metës, në interes në mafias ndërkombëtare dhe të Edi Ramës”, tha Memelli.
“Të gjithë ata që merren me këtë çështje, siç Presidenti Meta jua ka bërë të ditur ‘off-record’ bashkëpunëtorëve të Dum-Dumanit, e dinë shumë mirë se në krye të kësaj skeme është ish-bashkëpunëtori i Shërbimeve Jugosllave, A. SH., (emrin e të cilit nuk po e publikojmë për të mos dëmtuar hetimet e Dum-Dumanit), i arratisur nga Dibra në fund të viteve ’80 dhe i rekrutuar nga Shërbimet Jugosllave të kohës. Ky person është riaktivizuar në vitet 2000 me qëllim kompromentimin e Ilir Metës dhe të personave të afërt me të duke përdorur lidhje gjoja farefisnore.
Ai ka kryer një veprimtari të mirëfilltë agjenturore duke arritur të kompromentojë njerëz pranë Presidentit Meta, faktet për të cilat ata i dinë dhe i kanë në dispozicion, siç janë personat, E. B., J. M., dhe të tjerë. Në vend të zbatojë ligjin për të gjitha faktet që i ka prej kohësh, me regji të Edi Ramës dhe të agjenturave të huaja që kërkojnë të instalojnë narkoshtetin dhe të shuajnë çdo politikëbërje patriotike dhe kombëtare, Dum-Dumani vazhdon me provokimet ordinere ‘off-record’ si një shërbëtor ordiner i regjimit kriminal të Edi Ramës. Ilir Meta në çdo rast, në çdo detyrë dhe në çdo pozicion ka qenë shembull i respektimit të ligjit dhe sidomos të Kushtetutës, siç e dinë të gjithë shqiptarët dhe Komisioni i Venecias, me të gjithë mafian ndërkombëtare, që u investua atje”, shtoi ajo.
Burimi