
Mbetet jashtë listës së kandidatëve për deputetë të PD, rebelohet Dashnor Sula: Nuk i keni bërë mirë llogaritë…
Deputeti demokrat Dashnor Sula ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të koalicionit të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit. Sipas tij, përjashtimi nga lista ka ardhur si pasojë e qëndrimit të tij në mbështetje të institucioneve të reja të drejtësisë, konkretisht SPAK dhe GJKKO.
Sula, i cili ka përfaqësuar qarkun e Elbasanit në Parlament, tha se e kishte fituar legjitimitetin e tij politik përmes procesit të primareve në PD, ku siç kujtoi, u rendit si më i votuari në qark. Ai shtoi se ka qenë një nga deputetët më aktivë në opozitë, duke denoncuar korrupsionin dhe problematika të ndryshme, si kontrabanda e naftës dhe neglizhimi i bujqësisë.
“Për mua kjo është një medalje që më vendoset pas tre mandatesh si deputet, po të kihet parasysh se jam mbështetës i atyre strukturave të Drejtësisë, të cilat nga çdo sondazh i bërë, dalin si institucionet më të besuara në vend”, u shpreh Sula në një reagim në rrjetet sociale.
Ai gjithashtu kritikoi procesin e përpilimit të listave nga Partia Demokratike, duke aluduar se zgjedhjet brenda forcës politike nuk janë bërë mbi baza transparente dhe se qëllimi i listës nuk është fitorja e zgjedhjeve, por “përfitimi i një individi”.
Sula shprehu keqardhjen për mbështetësit e tij në Elbasan, Peqin, Cërrik, Belsh dhe Gramsh, si dhe për ata që ka takuar në diasporë gjatë muajve të fundit, duke i siguruar se angazhimi i tij politik nuk do të ndalet.
“Në fund kam edhe një mesazh për ata që janë ngujuar në kullë e po bëjnë listën e qarkut të Elbasanit, jo kushdo që do të futet në atë listë të mbyllur mund t’i gëzojë votat e demokratëve të Elbasanit, Peqinit, Cerrikut, Belshit dhe Gramshit. Keq më vjen, por nuk i keni bërë mirë llogaritë…”, përfundoi ai.
Dita e sotme – 12 Marsi – është afati i fundit që kanë në dispozicion partitë dhe koalicionet që do të hyjnë në zgjedhje më 11 Maj. Partia Demokratike ka njoftuar se do të mbledhë në orën 16:00 Kryesinë për të miratuar listën e kandidatëve të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Më pas, në orën 19:00 do të mblidhet Këshilli Kombëtar për të miratuar listën, që më pas do të depozitohet në KQZ.
Burimi