
KQZ miraton fletët e votimit për zgjedhjet e 11 Majit – FOTOT
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi të unifikuar për 12 qarqet e vendit, fletën e votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, në parlamentaret e 11 Majit shqiptarët do të votojnë në një fletë më të madhe, në të cilën do të jenë të renditura 11 subjektet politike, me të gjitha emrat e kandidatëve për deputetë, qofshin ata në listë të mbyllur, por edhe në listën e hapur.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se fleta e votimit do të jetë gati një muaj para se të nisë fushata elektorale.
Gjithashtu, Celibashi zbuloi se shpërndarja e fletëve të votimit për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje, do të nisë në 10-ditëshin e parë të muajit prill.
Në fletën e votimit të zgjedhjeve të 11 Majit, në Qarkun e Tiranës, do të jenë të renditur 539 emra, për 11 subjektet zgjedhore. Përmasat e fletës së votimit do të jenë 58,3 cm me 29,7 cm në të gjitha qarqet.
“Fleta e votimit është njësoj në kuptimin e madhësisë për të gjitha qarqet. Në Tiranë ka një dendësi më të madhe të emrave, por janë të gjithë të lexueshme, po të ishin me font më të madh do ishte më mirë. Por duke vendosur racionalitetin e madhësisë së fletës së votimit me mundësinë e leximit të kandidatëve, raporti qëndron mirë në këtë fletë votimi që kemi përgatitur”, tha Celibashi.
Fletët e votimit për 11 majin do të prodhohen nga ‘Cetis’ në Slloveni dhe shpërndarja tek diaspora, që voton për herë të parë, nis 10-ditëshin e parë të prillit. Në mbledhjen e të hënës, KQZ hodhi shortin për renditjen e subjekteve, nga ku rezultoi se Partia Socialiste në pushtet do të ketë numrin 5, ndërsa Koalicioni opozitar i drejtuar nga PD, numrin 1.
Burimi