KPK konfirmon në detyrë prokurorin e Vlorës dhe gjyqtaren e Tiranës
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli këtë të premte dy vendime konfirmimi në detyrë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më 27 qershor, vendosi të konfirmojë në detyrë subjektin e rivlerësimit, Aurel Zarka, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga Suela Zhegu, me Roland Ilian si relator dhe Genta Tafa Bungon si anëtare.
Aurel Zarka e ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2004 pranë ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai u emërua prokuror në vitin 2012 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit të Vlorës, ku së fundmi mban funksionin e drejtuesit.
Prokurori Aurel Zarka
Po këtë të premte, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se vendosi të konfirmojë në detyrë subjektin e rivlerësimit, Vjollca Spahiu, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me Lulzim Hamitajn si relator dhe Firdes Shulin si anëtare.
Vjollca Spahiu e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtare në Kukës. Prej vitit 2014, Spahiu e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Tiranë.
Gjyqtarja Vjollca Spahiu
Burimi