Konferenca e anglezëve, Tuchel dhe Kane: Kujdes nga Shqipëria

Konferenca e anglezëve, Tuchel dhe Kane: Kujdes nga Shqipëria

Tomas Tuchel synon të kthejë entuziazmin në radhët e anglezëve, duke pohuar se ata “ishin rënduar nga presioni” dhe “luanin për të mos humbur” në Kampionatin Europian.
Britanikët humbën finalen e dytë me radhë, ku u mposhtën nga Spanja, por tani kërkojnë të nisin një kapitull të ri, të mbushur me emocione dhe uri për të fituar. Pengesa e parë është Shqipëria, dhe parulla përballë kuqezinjve është kujdesi.
“Presioni në europian ishte i dukshëm. Dua ta ndryshojmë këtë situatë. Kërkoj një ekip entuziast, që luan me lumturi dhe ka uri për fitore. Jemi gati për sfidën. Uembli do të jetë plot me tifozë dhe kjo më bën pak nervoz në ndeshjen time të parë. Duhet të tregojmë respekt për Shqipërinë, për kualitetin dhe futbollin që luajnë. Nuk jemi injorantë të themi se kundërshtarët duhet të na përshtaten. Nëse do të duhet, do ti përshtatemi ne lojës dhe të bëjmë kujdes nga kundërsulmet e tyre”, tha Tuchel.
Kapiteni Harri Kejn ka kujtime të bukura nga sfida e katër vjetëve më parë, kur shënoi tre herë në portën e kuqezinjve.
“Ne sulmuesit duhet të ushtrojmë presion kur rivalët kanë topin dhe ta rikuperojmë sa më shpejt. Do provojmë të kemi kontrollin dhe të krijojmë sa më tepër raste për shënim. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por do të provojmë të entuziazmojmë tifozët në Uembli”, tha kapiteni i Anglisë.
Anglia synon kualifikimin direkt në Botërorin 2026. Hera e fundit që Tre Luanët munguan në një turne madhor ishte në Europianin 2008, pas disfatës që i shkaktoi Kroacia. Me Tuhel ata kërkojnë ti japin fund pritjes 60vjeçare për të fituar një trofe ndërkombëtar.
Burimi