Gjykata Speciale e ndalon Hashim Thaçin të marrë pjesë në varrimin e të atit

Gjykata Speciale e ndalon Hashim Thaçin të marrë pjesë në varrimin e të atit

Takimi i 13 marsit në ambientet e QKUK-së në Prishtinë, ku për tre orë qëndruan në praninë e njëri-tjetrit, do të jetë i fundit për Hashim Thaçin, me babanë e tij të ndjerë, Haxhi Thaçi.
Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë nuk do ta lejojë ish-Presidentin e Kosovës që t’i japë të atit lamtumirën e fundit, duke ia ndaluar që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit.
Lajmin e ka bërë të ditur Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) përmes një postimi në Facebook, ku shprehin edhe indinjatë e revoltë ndaj këtij vendimi.
OVL-UÇK e cilëson këtë vendim kundër Thaçit si të padrejtë dhe çnjerëzor, i cili bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë.
“Ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.
Po ashtu, organizata e veteranëve e ka konsideruar këtë vendim si një përpjekje të qëllimshme për të poshtëruar jo vetëm Thaçin dhe familjen e tij, por edhe ish-luftëtarët e UÇK-së.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do ta tolerojë heshtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj shkeljeve dhe trajtimit përçmues që po iu bëhet bashkëluftëtarëve tanë nga Gjykata Speciale në Hagë”, thuhet më tej në reagim.
Ceremonia e varrimit të Haxhi Thaçit do të zhvillohet nesër në orën 15:00, ndërsa familja ka hapur dyert për të gjithë ata që duan të shkojnë për ngushëllime, në Burojë të Skenderajt.
Që nga orët e hershme të mëngjesit shumë familjarë, ish-bashkëpunëtorë të Thaçit në politikë dhe qytetarë, kanë bërë ngushëllime pranë familjes së ish-Presidentit.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente