
Elman Abule dëshmon për 4 orë në SPAK për dosjen ‘Veliaj’, mbyll gojën për mediat
Biznesmeni shqiptaro-belg Elman Abule ka dëshmuar ditën e sotme si person nën hetim për rreth 4 orë në Prokurorinë e Posaçme për dosjen e Erion Veliajt.
Ai u paraqit në SPAK për t’u marrë në pyetje rreth orës 10:00 dhe doli në orën 13:50, ku nuk dha asnjë prononcim për mediat. Abule shoqërohej nga avokatja e tij, si dhe nga efektivët e Policisë, pasi ndodhet nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Pas daljes nga SPAK, ai nuk dha asnjë prononcim për mediat, teksa ende nuk dihen detajet konkrete se për çfarë ai është pyetur sot.
Në lidhje me dosjen e Erion Veliajt, Abule është i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Ai u arrestua fillimisht nga SPAK, por Gjykata e Posaçme e Apelit ia zbuti masën e sigurisë në “arrest shtëpie”.
Elman Abule ka dëshmuar edhe më herët në SPAK për çështjen në fjalë, para se të arrestohej, teksa po ashtu ka dëshmuar edhe bashkëshorten e tij Marisa Nito.
Çifti Elman Abule dhe Marisa Nito konsiderohen miq të afërm të familjes Veliaj, ku miqësia e tyre duket se është ndërthurur edhe përmes disa transaksione të dyshimta financiare, që çifti Abule ka bërë në adresë të llogarive bankare të Ajola Xoxës.
Elman Abule ka dhe një hetim nga Prokuroria e Tiranës, ku akuzohet se ka ngritur një skemë të pastrimit të parave, ku është pjesë bashkëshortja e tij bashkë me Kristian Boçin dhe Vladimir Avramin. Prokuroria u bllokoi rreth 50 milion euro pasuri që ishte investuar kryesisht në ndërtim, pasi paratë kishin origjinë të dyshimtë. Por sekuestro u hoq disa ditë më vonë kur prokurorja e Apelit, Arta Marku u riktheu pronat të akuzuarve.
Burimi