
Do jenë në listat e kandidatëve për deputetë, kush janë 3 kryebashkiakët socialistë që japin dorëheqjen
Kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj ka dhënë dorëheqjen këtë të martë, siç tregon ky dokument i Këshilit Bashkiak, që e ka miratuar atë.
Arsyeja lidhet me vendimin e tij për të kandiduar si deputet në Qarkun e Dibrës në zgjedhjet e 11 Majit, çka mesa duket ka marrë dhe mbështetjen e drejtuesit politik Blendi Klosi dhe kryeministri Rama.
Por Malaj nuk është i vetmi kryebashkiak që do jetë në skuadrën e kandidatëve të Partisë Socialiste.
Sipas raportimeve medaitike, dhe Ervin Demo, kryebashkiaku i Beratit që ka dhe drejtimin politik të këtij qarku, do të jetë kandidat dhe do të ndjekë të njëjtën procedurë si Malaj duke dhënë dorëheqjen të mërkurën.
Termet Peçi i Tepelenës është kryebashkiaku i tretë i cili gjithashtu raportohet se do të lerë mandatin si qytetar i parë i kësaj bashkie për të qenë në listat e kandidatëve për deputetë.
Veç këtyre tre emrave, është e konfirmuar që në listën e kandidatëve për deputetë, në pjesën e sigurt, do të jenë drejtuesit politikë të qarqeve, ndërsa gjithë të tjerët do ta marrin vesh zyrtarisht vetëm ditën e nesërme kur do të mblidhet në orën 18.00 kryesia e PS për të miratuar 186 emrat e kandidatëve që do t’i dorëzohen në orët e fundit të afatit ligjor Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Vetë kryeministri Edi Rama deklaroi të hënën se ai vetë mund të mos jetë në listë, duke qëndruar jashtë parlamentit, ndonëse synon që të ketë shumicën për të qeverisur edhe për 4 vite të tjera.
Burimi