
Berisha në Shkodër, prezanton programin dhe kandidatët: Asnjë votë për Tom Doshin dhe Lulzim Bashën
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e nisi nga Shkodra prezantimin e kandidatëve të koalicionit PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Në nisje të fjalës së tij, Berisha u shpreh se, ka zgjedhur Shkodrën për të nisur betejën për shembjen e diktaturës së dytë.
“Kjo është një betejë çlirimtare”, theksoi kreu i PD-së.
Kryedemokrati akuzoi kryebashkiakun socialist Benet Becin për lidhjet me bandat. Berisha tha gjatë fjalës së tij, se ishin “bandat që e vendosën Benet Brajoviçin në krye të bashkisë”.
“Asnjë pushtues nuk e ka diskriminuar Shkodrën sa Rama”, nënvizoi Berisha më tej.
Kryetari i Partisë Demokratike prezantoi edhe programin për ‘Shqipërinë Madhështore’. Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se “makthi i gjatë përfundon pas 55 ditësh” në 11 maj. Kryedemokrati tha se që në vitin e parë qeverisja e Partisë Demokratike do të vendosë taksat më të ulëta në mbarë Europën. Duke prezantuar projektet që do të ndërtohen në infrastrukturë dhe transport, u shpreh se “autostrada e parë që do inaugurohet nga qeveria e ardhshme do jetë autostrada Shkodër-Milot-Tiranë”.
Gjatë takimit në Shkodër, Berisha u bëri thirrje të gjithë banorëve që të mos japin asnjë votë për Tom Doshin apo kandidatët e Lulzim Bashës.
Sipas tij, çdo votë e dhënë për ta, është votë që shkon direkt për Edi Ramën.
Burimi