Berisha firmos dokumentin para banorëve të Tiranës: Nuk do të ketë urbanizim përpara legalizimit

Berisha firmos dokumentin para banorëve të Tiranës: Nuk do të ketë urbanizim përpara legalizimit

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në takimin me demokratët e njësisë numër 8 në Tiranë firmosi një dokument të rëndësishëm për procesin e legalizimeve.
Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se nuk do të ketë urbanizim para legalizimit dhe se të gjitha familjet që kanë dokumentacion të penguar nga qeveria aktuale do të përfitojnë procesin pa pagesë.
Berisha gjithashtu garantoi se pronarët e tokave të zëna do të kompensohen me çmime tregu, ndërsa shtoi se qeveria e ardhshme do të mbulojë plotësisht qiratë e qytetarëve të prekur nga prishjet e banesave.
“Së pari, e kam shprehur edhe në takime të tjera, të gjithë ata që kanë marrë dokumentet me të cilat kjo qeveri e mban peng dokumentin përfundimtar të legalizimit dhe legalizimi do shpallet pa asnjë akt, pa asnjë pagesë. Së pari.
Së dyti, garantoj pronarët e tokës së zënë se ata do dëmshpërblehen me vlerë tregu nga qeveria. Po, ne do bëjmë të drejtën siç është për t’u bërë.
Së treti, nuk do ketë urbanizim para legalizimit. Do ketë legalizim para urbanizimit. Se këta me këtë punë e bllokuan procesin. Ne do e legalizojmë dhe pastaj askush nuk e pengon rrugën aty ku duhet të kalojë.
Ne ndërtuam 11.300 kilometra rrugë dhe në mënyrë absolute kemi pasur vetëm një protestë te Shkolla Teknologjike. I thashë ministrit që do shpronësohen me tarifa tregu. U ul me ta dhe protesta u ndërpre.
E katërta, qesharake bonuset për qiratë. I prish shtëpinë, e vendos në një ndërtesë dhe u jep gjysmën e qirasë. Do e paguash të plotë qiranë me çmim tregu.
Në qoftë se veprohet në këtë mënyrë qytetarët kanë besim tek qeveria dhe ligji. Në radhë të parë kanë besim tek e drejta që këta nuk dhunohen në mënyrë të padrejtë. Unë u garantoj ju se këto pika të përcaktuara bashkërisht, këto firmosen këtu para jush nga Sali Berisha dhe do të jetë një nga aktet e para të qeverisë.
Dhe garantoj shqiptarët që kanë probleme me legalizimet që ky rregull do jetë kudo në Shqipëri. Nuk mund të vendosësh rregull në qoftë se nuk përligj, nuk zgjidh problemin e legalizimit. Zgjidhja e problemit të legalizimit duke këputur Nyjen Gordiane, sepse kur gjërat janë të komplikuara, nyja pritet dhe ne i japim përgjigjen më të mirë këtij problemi të krijuar”, u shpreh Berisha.
Burimi