Begaj i përgjigjet Ramës, dekreton datën e zgjedhjeve në Himarë pa pritur afatet e ankimit të Belerit
lajm ne perditesim…
Presidenti Bajram Begaj i është përgjigjur me shpejtësi kërkesës së kryeministrit Edi Rama për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja në Himarë.
Referuar dekretit të kreut të shtetit, zgjedhjet e reja do të mbahen më 4 gusht 2024.
“Sot, Këshilli i Ministrave njoftoi zyrtarisht Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar në bashkinë Himarë për shkak të konstatimit të pavlefshmërisë së mandatit të fituar nga z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve, brenda afateve që përcakton Kodi Zgjedhor.
Kryetari i zgjedhur i bashkisë Himarë është gjendur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kushtet e pavlefshmërisë së mandatit, për shkak të dënimit me vendim të formës së prerë për veprën penale të ‘korrupsionit aktiv në zgjedhje’, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në një njoftim të zyrës së shtypit të Presidencës.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj thirri në konsultë z. Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve për t’u informuar lidhur me kapacitetet dhe gadishmërinë e institucionit menaxhues të zgjedhjeve, për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë bashki, brenda kornizës kalendarike të Kodit Zgjedhor. Pas kësaj konsulte, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z.Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në bashkinë Himarë, si alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore dhe nevojën për përgatitjen optimale të administratës zgjedhore, me kushtet, rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni turistik për bashkinë Himarë, si njësi bregdetare e qeverisjes vendore”, mbyllet njoftimi.
Burimi