
Apeli i GJKKO lë në burg Erion Veliajn, lirohet biznesmeni Elman Abule
Pas tre ditësh seancë gjyqësore, Apeli i Posaçëm ka vendosur këtë të enjte të lërë në qeli kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.
Ndërkohë, gjykata vendosi të zbusë masën e sigurisë nga arrest në burg në arrest në shtëpi për biznesmenin Elman Abule.
Ndërsa për biznesmenët e tjerë që kishin ankimuar masën e sigurisë detyrim paraqitje, gjykata vendosi të lërë në fuqi vendimet e shkallës së parë.
Seanca maratonë
Apeli nisi shqyrtimin e kërkesës së Veliajt për liri të martën dhe pas një seance që zgjati 7 orë, vendosi shtyrje për ditën e mërkurë. Në atë seancë, avokatët e Veliajt argumentuan se pse klienti i tyre duhet të lirohet nga qelia, duke pretenduar se nuk ekzistojnë kushtet që ai të qëndrojë në burg. Po sipas tyre, nuk ka rrezik që kryebashkiaku të prishë provat, të intimidojë dëshmitarët, apo të arratiset. Avokatët propozuan edhe lirimin me garanci pasurore.
SPAK, në anën tjetër, mbajti një qëndrim të kundërt duke kërkuar vijimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Prokuroria, e cila u përfaqësua nga Ols Dado dhe Altin Dumani, paraqitën prova të reja. Prova që sipas tyre provojnë konsumimin nga ana e Veliajt të veprave penale për korrupsion dhe pastrim parash si ekspozojnë rrezikun e lartë që ka për të intimiduar dëshmitarë.
Pas provave të reja të paraqitura nga SPAK, avokatët e Veliajt kërkuan kohë që të njihen me to. Në këto kushte, gjykata mori vendim për shtyrjen e seancën mesditën e nesërme.
Në dalje nga gjykata, avokatët e Veliajt nuk preferuan të jepnin asnjë prononcim për mediat.
Përveç Veliajt, masën e sigurisë e ankimuan edhe të pandehurit e tjerë të dosjes, përveç ndërtuesit Fatmir Bekteshi dhe bashkëshortes së kryebashkiakut Ajola Xoxa.
Provat e reja, Veliaj u përgjua në qeli
Burime nga brenda seancës bënë me dije në kushte anonimati se mes provave të paraqitura nga SPAK në gjykatë janë disa audiopërgjime ambientale dhe telefonike të bëra ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj në qeli, i cili komunikon me vëllain e tij Arbër Veliaj ku përmenden dhjetëra emra gazetarësh dhe bashkëpunëtorësh të tij.
Gjithashtu, ka fakte dhe prova të tjera shkresore që lidhen me kryebashkiakun Veliaj, familjaret e tij dhe biznesmenët që ka bashkëpunuar ndër vite.
Përgjimet e dhëna si prova nga SPAK janë lexuar në seancë nga prokurorët dhe janë administruar nga avokatët.
Komunikimi i Erion Veliajt me vëllian e tij Arbër Veliaj përfshin edhe udhëzime si ky i fundit porositet të takojë gazetarë, të ndërhyjë në politikat redaksionale të mediave, apo të ushtrojë presion mbi gjyqtarët dhe prokurorët.
Gjithashtu, në përgjime Veliaj përmend disa emra të pronarëve të mediave, që faktikisht, kohët e fundit, kanë mbrojtur kryebashkiakun dhe kanë sulmuar drejtësinë.
Këto përgjime, SPAK i ka vënë në dispozicion të Apelit të GJKKO duke treguar se Veliaj po ushtron presion të madh mediatik kundër njerëzve të drejtësisë, duke nisur nga mediat kryesore, të cilat edhe janë denoncuar si media të paguara nga inceneratorët, nga vëllai i kryebashkiakut Erion Veliaj, apo koncesionet e pushtetit.
Veliaj ankohet në gjykatë për përgjimet, nuk tërhiqet nga sulmet ndaj drejtësisë
Seanca rinisi të mërkurën me kundërshtimet e avokatëve të kryebashkiakut ndaj provave të reja të paraqitura nga SPAK, që nga ana e saj, kërkon mbajtjen në qeli të kryetarit të bashkisë.
Në deklaratën para gjyqtarëve dhe dy prokurorëve Ols Dado dhe Altin Dumani, sipas burimeve, Veliaj ka deklaruar se i qëndron çdo postimi që ka bërë në rrjetet sociale.
“Unë jam ende kryetar bashkie në detyrë i votuar nga çerek milion njerëz, unë i qëndroj çdo postimi që kam bëre në rrejte sociale”, mësohet të ketë thënë Veliaj, i cili që pas arrestimit, ka zhvilluar një fushatë të ashpër sulmesh publike ndaj drejtësisë, kryesisht prokurorit të dosjes në ngarkim të Ols Dado dhe gjyqtarit të posaçëm që pranoi kërkesën e SPAK duke miratuar masën e arrestit me burg.
Në gjykatë, Veliaj ka kundërshtuar SPAK, duke u shprehur se provat e reja janë çimka dhe telefonatat e tij me djalin, si edhe familjen.
Erion Veliaj tha se SPAK ka përgjuar 1 muaj bisedat e tij familjare që sipas kryebashkiakut, kanë të bëjnë me intervistat në media.
“Ju nuk keni konsideruar prova të reja sulmet publike të Sali Berishës ndaj SPAK. Por keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin dhe familjen dhe interesimin tim për intervista në TV kryesore“, mësohet se është shprehur Erion Veliaj.
Ai kërkoi edhe seancë me dyer të hapura.
Biznesmeni Elman Abdule, i cili ndodhet po ashtu në paraburgim dhe mbrojtja e të akuzuarve të tjerë paraqitën gjithashtu kërkesat dhe argumentet e tyre duke kundërshtuar masat e sigurisë.
SPAK kërkon vijimin e arrestit në burg për Veliajn
Nga ana tjetër, akuza kërkon vijimin e masës së sigurisë arrest në burg për kryebashkiakun Veliaj.
Konkluzionet në seancën e së mërkurës i mbajti kreu i SPAK Altin Dumani, i cili argumentoi se pse sipas hetuesve, kryebashkiaku duhet të qëndrojë në qeli.
Në fund, gjyqtari Engert Pëllumbi vendosi të mos e shpallë vendimin përfundimtar këtë të mërkurë, por e shtyu seancën për të enjten, kur edhe dha vendimin për vijimin e arrestit në burg për Veliajn.
Hetimet
Veliaj qëndron në qeli prej 10 Shkurtit kur oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit e shoqëruan në paraburgim pas vendimit të miratuar nga Gjykata.
Prokuroria e Posaçme saktësoi se nisi hetimet ndaj Veliajt në korrik 2023, pas një denoncimi anonim që rrëfente lidhjet mes kryebashkiakut me biznesmenin Gentjan Sula, pronar i kompanisë së ndërtimit “Agi Kons”, e cila ka fituar disa tenderë publikë.
Vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj, posedonte një vilë në Qerret të ndërtuar nga kompania “Agi Kons”, ndërsa bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, ka deklaruar një apartament në rezidencën “Kodra e Diellit”, gjithashtu e ndërtuar nga e njëjta kompani.
Pas hetimeve paraprake dhe grumbullimit të provave, më 8 shkurt 2024, Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal për veprën e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, ndërsa më 27 dhjetor 2024 hetimi u zgjerua duke përfshirë edhe akuzat për “Korrupsion aktiv”, “Pastrimin e produkteve të veprës penale” dhe “Fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurisë”.
Më 16 janar 2025, në regjistrin e veprave penale u shtua edhe akuza për “Deklarata të rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, ndërsa më 24 janar 2025 u shtua vepra penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Si pjesë e hetimit, SPAK ka dokumentuar një seri të gjatë transaksionesh që tregojnë rrjedhjen e parasë nga Bashkia e Tiranës, përmes kompanive kontraktore dhe sponsorizimeve, tek OJF-të dhe kompanitë e kontrolluara nga Ajola Xoxa.
Sipas prokurorisë, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, janë në qendër të një skeme të mirë-organizuar për të përfituar ryshfete dhe për të pastruar para nëpërmjet kompanive kontraktore dhe organizatave joqeveritare (OJF) që merrnin fonde nga Bashkia e Tiranës.
Prokurorët shprehen se Veliaj ka përfituar të paktën 1.1 milionë euro në nëntë raste të ndryshme, duke përdorur pozicionin e tij për të siguruar kontrata publike dhe leje ndërtimi për biznesmenë të ndryshëm.
Po sipas hetimeve, Erion Veliaj, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka ndërmorën një fushatë të koordinuar për të intimiduar dëshmitarët dhe hetuesit – që sipas arsyetimit të gjykatës së shkallës së parë, e përforcoi nevojën e arrestimit të tij.
Burimi