
Aksident zinxhir në Vlorë/ Mjeti nuk i ndalon policisë, përplaset me disa makina të tjera
Një aksident zinxhir, ku janë përfshirë disa automjete, është regjistruar ditën e sotme në qytetin e Vlorës, në zonën e Transballkanikes.
Burime bëjnë me dije se një automjet tip “Mercedes Benz ML”, me ngjyrë të zezë, nuk i është bindur urdhrit të ndalimit në një postbllok Policie, duke tentuar të arratiset me shpejtësi.
Në përpjekje për t’iu shmangur ndalimit, mjeti ka përplasur disa automjete, përfshirë edhe një mjet të Policisë së Burgjeve, të cilin e ka nxjerrë nga rruga.
Po ashtu bëhet me dije se janë jashtë rrezikut për jetën të aksidentuarit, mes të cilave edhe një punonjëse e burgjeve në Vlorë.
Drejtuesi automjetit është identifikuar si shtetasi Kelian Llakaj.
Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar gjithashtu dëmtime në një shtyllë ndriçimi, që është goditur nga mjeti në fjalë.
Aksidenti ka shkaktuar panik dhe ka bllokuar përkohësisht qarkullimin në zonën shumë të frekuentuar të Transballkanikes.
Njoftimi i policisë
Vlorë/Në gjendje të dehur në drejtim të automjetit, përplas disa mjete dhe tenton t’i largohet Policisë, kapet dhe ndalohet pas ndjekjes 34-vjeçari.
Sot, rreth orës 19:50, në rrethrrotullimin e Çoles, në lagjen “1 Maji”, shtetasi K. Ll., 34 vjeç, banues në Vlorë, duke drejtuar automjetin tip “Benz” në gjendje të dehur, ka përplasur fillimisht tre mjete dhe, gjatë lëvizjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, ka goditur edhe një tjetër mjet me drejtuese shtetasen A. K., rreth 50 vjeçe, e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje për ndalimin dhe kapjen e tij. Pas lokalizimit të 34-vjeçarit, ky i fundit ka tentuar t’i largohet shërbimeve të Policisë duke manovruar me shpejtësi dhe goditur dy mjete të Policisë, duke vënë në rrezik jetën e efektivëve.
Pas ndjekjes së vazhdueshme nga Policia, në një zonë jashtë qendrave të banuara, për të shmangur rrezikun për drejtuesit e tjerë të mjeteve apo kalimtarët e rastit, u bë e mundur ndalimi i drejtuesit të automjetit, shtetasit K. Ll., i cili u shoqërua menjëherë në komisariat për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.