
Abilekaj: Rama shkon në Kuvend vetëm për të akuzuar opozitën
Gazetari dhe analisti Enton Abilekaj ka kritikuar Qeverinë dhe kryeministrin Rama, se shkon në parlament vetëm për të akuzuar opozitën, jo për të kontrolluar, jo për të shkuar nëpër interpelanca, apo për të korrigjuar vendime.
Në një dalje televizive, Abilekaj analizoi veprimtarinë parlamentare, duke theksuar se ky 4-vjeçar ka pasur një nga parlamentet më dinamikë.
Abilekaj kritikoi kryeministrin Rama duke thënë se e ai vetëm shkon për të folur, për të mbajtur fjalë dhe për të fyer opozitën në Kuvend.
“Ky 4-vjeçar ka qenë pa dyshim më dinamik nga të gjitha magjistraturat parlamentare, pavarësisht se ndërprerja 2-mujore tani dhe bilanci që bëri kryetarja e parlamentit, në fakt nuk janë mbyllje përfundimtare të legjislaturës, por janë një mbyllje e përkohshme. Çuditërisht, sepse për shkak të një kodi zgjedhor që kemi bërë, pas zgjedhjeve rimbledhim parlamentin e vjetër deri në shtator, që është një absurd i pakuptueshëm”, tha ai.
“Megjithatë, ky ka qenë një nga parlamentet më dinamike. Filloi me 9 shtatorin e famshëm të 2021, kur u përjashtua Sali Berisha dhe po mbyllet tani. Kryeministri ka bërë vetëm një interpelancë në 2 vitet e fundit, ndërkohë që të tjerat i ka deleguar. Kryeministri shkon për të folur, për të mbajtur fjalë dhe për të fyer opozitën në parlament dhe largohet, nuk qëndron asnjë sekondë”, shtoi
“Këtë bëjnë dhe ministrat kryesorë. I vetmi ministër që është në parlament gjithmonë dhe që merret me parlamentin, është ministri i parlamentit, i dedikuar për marrëdhëniet me parlamentin. Ka qenë Spiropali dhe tani është Balla, të cilët merren me replikat për opozitën. Pra, qeveria shkon në parlament vetëm për të shkarkuar mbi opozitën akuza, jo për të kontrolluar, jo për të shkuar nëpër interpelanca, jo për të korrigjuar vendime”, u shpreh më tej.
“Ky parlament ka miratuar vendime, ligje me emër personi kur bëhet fjalë për Portin e Durrësit, për shembull. Kështu që mund të themi që ky parlament nuk ka arritur kurrë që të kontrollojë qeverinë, është përdorur nga qeveria, por opozita në 2 vitet e fundit ka arritur t’i japë kuptim jetës parlamentare, duke u bashkuar dhe duke krijuar më në fund një grup parlamentar imponues”, përfundoi Abilekaj.
Burimi