SHQIPËRI 0-1 SPANJË: Kuqezinjtë lënë me dinjitet Europianin, Italia e dyta pas një barazimi dramatik në minutën e 98-të

SHQIPËRI 0-1 SPANJË: Kuqezinjtë lënë me dinjitet Europianin, Italia e dyta pas një barazimi dramatik në minutën e 98-të

DUSSELDORF – Kombëtarja shqiptare humbi 0-1 ndaj Spanjës në ndeshjen e tretë dhe të fundit për Grupin B të Euro 2024 dhe me vetëm një pikë është zyrtarisht e eliminuar nga “Gjermani 2024”.

Ndeshja në Dusseldorf u vendos nga goli i Ferran Torres në minutën e 13-të të ndeshjes. Një pakujdesi e prapavijës sonë bëri që pasimi final i Olmos të mbërrinte në këmbët e Torres, që me të majtën goditi bukur dhe mposhti Strakoshën, duke e ndalur topin në shtyllë dhe më pas në rrjetë.
Minutat në vijim folën për iberikët, që paçka se kishin hedhur në fushë ekipin B nuk iu ndanë filozofisë së lojës “tiki-taka” dhe u dukën superior. Rasti i vetëm i rrezikshëm për tanët ishtë në minutën e 45-të, kur Asllani me një të djathtë nga jashtë zone bëri që Raya të thirrej në apel dhe të ndalte në një mënyrë fantastike goditjen.

Nisja e pjesës së dytë ishte e njëjtë, teksa futja në fushë e Brojës, Hoxhës dhe Medon Berishës i dha tjetër hov lojës sulmuese. Ngacmimet e Hoxhës nxorën disa herë tanët në pozicion goditës, por pa mundur të rrezikonim.
Në minutën e 64 Broja mori një pasim fantastik nga Asllani, me sulmuesin që goditi direkt, por pa mundur të mposhtet Rayan që devijoi në këndore. Fundi i sfidës ishte më kërkues për tanët, që paçka futjes së Muçit nuk prodhuan më raste të mira. Ferran Torres, ai që vendosi duelin u zgjodh “Lojtari i Ndeshjes” nga UEFA.
Kështu Shqipëria me vetëm një pikë pas tre ndeshjeve është jashtë Euro 2024. Tanët e nisën këtë aventurë në 15 qershor me humbjen 2-1 me Italinë, barazuan 2-2 me Kroacinë më 19 qershor dhe sot humbën 0-1 me Spanjën. Tre ndeshje, asnjë fitore, një barazim dhe dy humbje për kuqezinjtë që shënuan tre gola dhe pësuan pesë në aventurën e dytë në Europian. Kundër Spanjës kuqezinjtë kanë nëntë humbje në histori, në po kaq ndeshje.
Ndërkohë në ndeshjen tjetër të mbrëmjes Kroacia dhe Italia barazuan 1-1 dhe me këtë rezultat të kaltrit e Spallettit janë në 1/8 së bashku me Spanjën kryesuese. Modric shënoi për kroatët, kjo pasi më herët humbi një penallti. Ndërkohë Italia iu fal Zaccagnit në minutën e fundit të sfidës, për mos u turpëruar. Modric në moshën 38 vjeç e 289 ditë bëhet lojtari më i vjetër që ka shënuar ndonjëherë në një Europian, por kjo s’e ka ndihmuar Kroacinë e tij që eliminohet nga Euro 2024.
Nga Grupi B, Spanja dhe Italia janë në fazën e 1/8 duke iu bashkuar ekipeve të kualifikuara më herët si: Gjermania, Portugalia dhe Zvicra. Çifti i vetëm i 1/8 i konfirmuar deri tani është Zvicër – Itali.
Komentet më të rëndësishme:
90+4′ Mbyllet 0-1 ndeshja. Shqipëria jashtë Euro 2024.
90+2′ Broja pranë golit të barazimit me goditjen nga brenda zonës, pret Raya.
90′ Katër minuta shtesë.
83′ Arbër Hoxha hyn nga brenda, goditja përfundon në tribuna.
81′ Jasir Asani i bën vend Ernest Muçit.
77′ Asllani me të majtën nga jashtë zone, sfera del jashtë.
71′ Ferran Torres dhe Joselu dalin te Spanja, Lamin Yamal dhe Morata në fushë.
70′ Arbër Hoxha dhe Medon Berisha në fushë, dalin Laçi dhe Bajrami.
66′ Nedim Bajrami merr karton të verdhë për protesta, në përsëritje duket faull për fantazistin tonë.
64′ Lëvizje e bukur e Brojës, Asllani pason bukur, por sulmuesi godet dhe pret Raya.
58′ I gjithë stadiumi brohoret emrin e Armando Brojës, sulmuesi merr vendin e Manaj.
52′ Ndihmësi i Sylvinhos në stol, Doriva merr karton të verdhë për protesta.
47′ Joselu me “vole” fantastike nga brenda zonës, Shqipëria me fat.
46′ Nis pjesa e dytë, Le Normand merr vendin e Laporte te Spanja. Sylvinho i beson zgjedhjeve të para.
45+1′ Mbyllet 0-1 pjesa e parë me gol të Ferran Torres.
45′ Një minutë shtesë.
45′ Kristjan Asllani tenton nga jashtë zone në mënyrë fantastike, Raya përgjigjet në të njëjtën mënyrë. Rasti i parë për tanët.
43′ Spanja kualitet në sulm, prapavija kuqezi në vështirësi.
42′ Berisha, Ismajli dhe Arbër Hoxha në nxehmje.
41′ Ferran Torres provon me kokë pas një krosimi nga e majta e sulmit, topi del jashtë.
32′ Muçi, Seferi dhe Broja dalin në nxehmje.
30′ Spanja kontrollon lojën, tanët provojnë të thyejnë aksionet dhe shpresojnë te kundërsulmi.
13′ Ferran Torres kalon Spanjën në epërsi. Një vertikalizim i Olmo gjen “zbuluar” mbrojtjen kuqezi dhe sulmuesi spanjoll me të majtë e stampon topin në shtyllë dhe më pas në rrjetë. Për herë të parë në Euro 2024 Shqipëria pëson gol e para.
Arbitër: Glenn Nyberg (Suedi)
Stadiumi i Dusseldorfit, 49 mijë vende
 
Burimi