Zjarri shkrumbon magazinën me prodhime bujqësore në Berat, shpëton banesa dykatëshe
Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e djeshme një magazinë bujqësore në fshatin Veterik të Bashkisë Berat. Sipas të dhënave paraprake, flakët kanë shpërthyer fillimisht në magazinën ku ruheshin prodhime dhe materiale bujqësore, ndërsa më pas janë përhapur me shpejtësi drejt një banese dykatëshe që ndodhej ngjitur. Si pasojë, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Kur ekipet zjarrfikëse mbërritën në vendngjarje, zjarri kishte depërtuar në katin e parë të banesës në pronësi të Sokrat Delibashit. Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve bëri të mundur izolimin e flakëve dhe shmangien e djegies së plotë të banesës. Megjithatë, magazina u shkatërrua plotësisht nga zjarri, ndërsa grupi hetimor dhe shërbimet zjarrfikëse po punojnë për të përcaktuar shkaqet e rënies së flakëve.
Burimi:
gijotina.com