Lundrime pa leje dhe skafe pa dokumente, e pësojnë pronarët në Sarandë, Policia i gjobit dhe u bllokon 5 mjetet (FOTO)
Uniformat blu nuk i ndalin aksionet edhe gjatë vijës bregdetare në kuadër të sigurisë së pushuesve në këtë sezon veror. Shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës, kanë konstatuar pasditen e sotme (13 gusht) 5 mjete lundruese të llojit skaf plastik, pa dokumentacionin e detyrueshëm në bord. “Janë ndaluar dhe gjetur pa dokumentacion skafet “Rolex 1” me drejtues K. D, “Hans 1” me drejtues A. A, “Noens-S” me drejtues E. B, “Venus” me drejtues E. Sh dhe “Brizo” me drejtues “A. I”. Të pesë drejtuesit e mjeteve lundruese janë gjobitur me 10.000 lekë secili, në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, tha policia. Për të gjitha mjetet e gjobitura u bë bllokimi i tyre deri në likuidimin e masave.
Burimi:
javanews.al