
Zgjedhja e pasuesit të Kryepeshkopit Janullatos, Sinodi i Shenjtë mblidhet më 16 mars

Foto ilustruese
TIRANË– Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë do të mblidhet më 16 mars për zgjedhjen e kryepeshkopit të ri të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Zgjedhja do të zhvillohet në Qendrën Sinodike, menjëherë pas përfundimit të Liturgjisë Hyjnore, sipas dispozitave të Statutit të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë. Mbledhja do të zhvillohet nën drejtimin e Mitropolitit të Korçës, At Joanin, i cili pas ndarjes nga jeta të kryepeshkopit Anastas Janullatos është “mbikëqyrës” i Fronit të Kryepeshkopit.
NJOFTIMI I SINODIT:
Zgjedhja e Kryepiskopit të ri të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë
Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë bën me dije se zgjedhja e Kryepiskopit të ri të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, i cili do të pasojë Kryepiskopin e ndjerë Anastasin, do të mbahet të Dielën e Dytë të Kreshmës më 16 mars 2025, në Qendrën Sinodike, pas Liturgjisë Hyjnore. Procesi i zgjedhjes do të ndjekë dispozitat e Statutit të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Tiranë, 13 Mars 2025
Nga Sekretaria e Sinodit të Shenjtë
Mitropolit Joan (emri i lindjes është Fatmir Pelushi) tashmë shërben si mitropolit i Korçës. Ai ka studiuar për disa vite në shkollën teologjike ortodokse të Kryqit të Shenjtë pranë Bostonit në Shtetet e Bashkuara. Ai është diplomuar nga Fakulteti Ortodoks i Teologjisë Kryqi i Nderuar në Amerikë (Holy Cross Orthodox School of Theology, Boston), me gradën “Master of Divinity”. Ka studiuar në SHBA falë një burse studimi të themeluar atje nga shqiptarët në Amerikë në kujtim të Peshkop Fan Nolit.
Ai ka shërbyer më parë si pedagog dhe dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse Shqiptare. Me t’u diplomuar në “Kryqin e Shenjtë” me Master në studimet Teologjike, u rikthye në Shqipëri, ndërsa Kryepeshkopi Anastas e caktoi që të japë mësim në Seminar, si edhe të shërbejë ne vende të tjera brenda Kishës. Në 18 korrik 1998, u zgjodh si Mitropoliti i Korçës edhe u fronëzua dy ditë më pas./ZËRI