
Zbulohet pas 26 vitesh një varr masiv në Kosovë, identifikohen 11 viktimat e masakrës së Kralanit
Foto ilustruese
PRISHTINË- Zbulohet një varr masiv në Kosovë. Brenda janë gjetur mbetjet kockore të 11 personave të zhdukur nga masakra e Kralanit gjatë luftës. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka zbuluar edhe emrat e viktimave të forcave serbe. Në rrjetet e tij sociale Kurti shprehet se forcat shtetërore të Serbisë kishin rrëmbyer trupat e viktimave dhe i kishin groposur në varreza masive, me qëllim zhdukjen e gjurmëve dhe provave të krimeve.
“Aty u mbajtën nën tortura të vazhdueshme, pa ujë dhe ushqim për dy ditë. Më 4 prill, nga ta u ndaluan 86 burra dhe djem, ndër të cilët 11 ishin të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë. Disa prej tyre ishin gjetur në afërsi të liqenit Peruqac në Bajina Bashta të Serbisë. Pas zhvarrosjes nga Bishtazhini, Serbia i rrëmbeu kufomat. Në varrezën masive të zbuluar këto ditë në Bishtazhin janë identifikuar trupat e 11 personave: Adem Gashi, Sahit Gashi, Bekim Hasani, Sheremet Ismajli, Mentor Myrtaj,Osman Fejza, Shkelzen Hajdaraj, Bekim Gashi, Sabedin Kryeziu, Mentor Kryeziu dhe Vehbi Halilaj. Plagët e hapura të zhdukjeve me dhunë janë e vërteta e krimeve çnjerëzore dhe gjenocidit të kryer nga Serbia gjatë luftës në Kosovë,”-shkruan Kurti.
Sipas të dhënave zyrtare, 1.617 persona konsiderohen të zhdukur me forcë që nga lufta e fundit në Kosovë. Edhe 25 vjet pas konfliktit, familjet shqiptare ende nuk i kanë gjetur kufomat e të afërmve të tyre. Karakeristikë e përbashkët për të gjitha mënyrat e zhdukjes është se paraprakisht kanë qenë të planifikuara, të organizuara dhe janë kryer në mënyrë sistematike nga forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe. Pohim se zhdukja e të vrarëve është bërë në mënyrë sistematike dhe të organizuar nga strukturat më të larta politike të Serbisë e argumenton aktgjykimi i Tribunalit të Hagës. Rreth 80% e personave të zhdukur kanë qenë meshkuj të moshës vitale prej 18 deri në 40 vjeç, por në një përqindje më të vogël janë edhe personat e moshës 41 deri në 60 vjeç. Ka pasur raste që janë rrëmbyer dhe janë zhdukur dhunshëm edhe personat më të moshuar se 60 vjeç./ZËRI
Burimi