Vrau të atin, dëshmia e plotë e Esmerald Ballës: Babi më drejtoi i pari pistoletën, kur e pashë që e qëllova m’u shemb bota
Esmerald dhe Enver Balla
DURRËS- Është zbardhur dëshmia e plotë që 30-vjeçari Esmerald Balla, ka dhënë përpara grupit hetimor, ku pranon vrasjen e babait të tij, Enver Ballës. I riu ka thënë se konflikti mes të dyve ka nisur për shkak të mungesës së një pjese të parave në kasafortën ku familja mbante kursimet e përbashkëta. Sipas tij, ata po ndërtonin një shtëpi të re, dhe në momentin kur ai kishte shkuar që të merrte paratë për të paguar punëtorët, është konfliktuar me babanë për mungesën e parave. 30-vjeçari është shprehur se ka qenë babai ai që i ka drejtuar armën i pari dhe se ata janë kapur me duar mes tyre.
“Ne kemi një fermë të vetme të vogël dhe aty punonim të dy me babanë dhe pjesëtaret e tjerë te familjes. Gjerat nga ana ekonomike po shkonin shume mire dhe s’kishim asnjë problem pasi secili bënte detyrat e veta. Unë po ndërtoj një shtëpi te re (pranë asaj qe jetojnë) dhe punimet kishin ecur shumë mirë. Neve në shtëpi nga puna disavjeçare kishim një sasi afro 75 mijë euro. Ditën e ngjarjes shkova të merrja leket pasi sipërmarrësi i punimeve kërkoi pagesën sepse e kishte mbyllur punën për të cilën kishim rënë dakord.
Shkova te vendi për të marrë paratë dhe ta paguaja dhe konstatoj se mungonin 75 mijë eurot. I them babait” ku janë paratë”!? “Se di”, më tha. Kasaforta ishte dëmtuar me mjete të forta. Ishte hapur. Aty nisëm të debatonim. Unë të vras më tha dhe mori pistoletën dhe ma drejtoi. Në një moment iu afrova dhe u kapëm me duar. Në momentin qe po u përpoqa t’ia hiqja nga dora pistoletën ajo u shkreh”, ka deklaruar fillimisht Esmeraldi. Duke vijuar më tej rrëfimin e tij, i riu deklaroi se nuk kishte për qellim ta vriste të atin dhe e konsideroi aksident.
”Kur u shkreh arma dhe pasi pashë që babai ishte qëlluar m’u shemb bota pasi nuk doja që të ndodhte kështu. Më kapi paniku. Nuk dija çfarë të bëja. Kisha frikë të denoncoja krimin në polici edhe pse ishte aksident. E mora trupin në makinë dhe kemi një pus diku 1 mijë metra larg shtëpisë. E hodha aty që ta fshihja. Telefonin ja fika i hoqa kartën dhe e hodha edhe telin në pus. Mirëpo nuk ndihesha mirë. Më kapi ankthi dhe u bëra keq. Shkova në spitalin e Durrësit për vizitë. Mjekët më dhanë ca ilaçe. Pas nja dy ditësh e denoncova babanë të zhdukur në polici. Tashë në polici se babai kishte marrë lekët dhe ishte zhdukur me një femër tjetër. Lajmërova edhe vëllezërit. Iu thashë qe babai ka ikur nga shtëpia. Kështu vazhdoi për disa ditë deri në momentin që ju e zbuluat ngjarjen. Më vjen shume keq nuk doja të shkonte kështu”,- ka thënë mes të tjerash Esmerald Balla, i cili ka shfaqur dhe pendesë.
Policia e Durrësit arrestoi sot një person të dytë në lidhje me vrasjen, shok me autorin, i cili ndihmoi në fshehjen e trupit të 62-vjeçarit. /ZËRI
Burimi